Komuna e Lipjanit gjatë këtyre ditëve ka nisur riasfaltimin e rrugës “Shqipëria” përballë objektit të Komunës, por prerja e drunjve të mëdhenj disavjeçarë në këtë rrugë, ka nxitur reagime të shumta nga opozita. Po ashtu gjatë së premtes ka pasur edhe reagime nga kompanitë kabllore të internetit derisa komuna nuk i ka njoftuar për t’i larguar me kohë kabllot nëpër shtylla elektrike.
Agon Bahtiri, sekretar i përgjithshëm në PDK, dega në Lipjan ka thënë se është shumë shqetësuese të degradohet ambienti duke i prerë drunjtë e mëdhenj disa vjeçar të cilët kanë krijuar freski gjatë sezonit veror.
“Ne si subjekt kemi kërkuar me kohë që të asfaltohet kjo rrugë e cila është degraduar prej kohësh, por është shqetësuese të bëhet prerja dhe dëmtimi i drunjve të mëdhenj disavjeçar. Për prerjen e këtyre drunjve të bukur, komuna me kohë është dashur të konsultohet me ekspertët e fushës së ambientit, andaj nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur atëherë kjo paraqet shkelje ligjore për ekzekutivin”, ka kritikuar Bahtiri.
Ai ka kërkuar që të hetohet nga organet kompetente prerja e drunjve të mëdhenj të cilët i ka konsideruar si trashëgimi.
Shkëlzen Bislimi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se komuna vazhdimisht ka vepruar ngjashëm edhe në disa raste me degradim dhe dëmtim të drunjve në qytet.
“Sa i përket pasurive natyrore siç janë drunjtë dekorativë komuna ka vepruar njëjtë edhe në të kaluarën në disa pjesë të qytetit. Sepse ka pasur raste kur janë prerë drunjtë e mëdhenj të cilët janë simbol të qytetit të Lipjanit. Prerja e drunjve të tillë pa ndonjë konsultë me qytetarët është e pa pranueshme dhe ndëshkuese”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, është e pa pranueshme që komuna paraprakisht nuk është konsultuar as me kuvendarët për këtë projekt dhe po ashtu nuk është konsultuar as me kompanitë kabllore të internetit, telefonisë, KEDS- in etj.
Liridon Pajaziti, menaxher në një kompani kabllore të internetit në Lipjan ka thënë për KOHEN se komuna nuk i ka njoftuar paraprakisht për ta bërë një zgjidhje me sistemin e kabllove derisa është planifikuar të largohen edhe shtyllat elektrike. Sipas tij, qindra familje mund të mbesin pa rrjet të internetit nëse komuna nuk ua jep një afat dhe nuk ua bën një zgjidhje për sistemin e kabllove.
“Ne si kompani kabllore na është vështirësua puna me punimet në këtë rrugë, së paku një zgjidhje e përkohshme e kishte lehtësuar punën tonë. Shërbimet që ofrojmë ne janë në interesin publik dhe e nevojshme për informim të popullit. Kish me qenë e rrugës nga ana e komunës së Lipjanit me e bërë një zgjidhje për neve deri në përfundim të punimeve”, ka thënë Pajaziti.
Rreth shqetësimeve të ngritura nga opozita dhe operatorët, drejtori për Shërbime Publike në komunë, Rasim Hasani, nuk i është përgjigjur pyetjeve të Kohës, po ashtu ai gjatë ditës nuk është lajmëruar as në telefon. Përgjigje nuk ka kthyer as zëdhënësi i komunës Diamant Bytyqi.