Arbëri

Ahmeti kërkon nga qytetarët ruajtjen e aseteve publike në Lipjan

Gjatë kohës së fundit Komuna e Lipjanit po përballet me raste të vandalizmit derisa po dëmtohen asetet publike si shenja të komunikacionit, drunj dekorativë, shporta të mbeturinave, ulëset nëpër parqe etj.

Këto akte i ka dënuar kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, derisa ka kërkuar nga qytetarët t’i ruajnë asetet publike të cilat po ndërtohen për një mirëqenie më të mirë për qytetarët.

Ai ka njoftuar se kohëve të fundit është vërejtur një dukuri e dëmtimit të drunjëve dekorativ, një veprim jo i mirë për hapësirat publike.

“Dëmtime të tilla së fundmi janë bërë në parkun e qytetit në Lipjan. Unë kërkoj nga të gjithë qytetarët që të përkujdesen sa më shumë për hapësirat publike si dhe të ruhen drunjtë dekorativë që gjenden në qytetin e Lipjanit. Kushdo që dëmton drunjtë dekorativ, vepron në dëm të interesave publike dhe dëmton rëndë ambientin që ne çdo ditë po e ndërtojmë së bashku”, ka thënë Ahmeti.