Arbëri

Pushteti thotë se drunjtë e vjetër në Parkun e Qytetit në Prizren kanë nevojë për trajtim

Shkaku i vjetërsisë dhe rrezikut eventual një numër i drurëve janë prerë në Parkun e Qytetit. Autoritetet janë zotuar se ata do të zëvendësohen. Ndërsa ekspertët kanë kërkuar që zëvendësimet të jenë adekuate dhe që fidanët të mirëmbahen vazhdimisht

Prerja e një numri të drurëve në Parkun e Qytetit të Prizrenit ka ngjallur shqetësim tek komuniteti që e frekuenton këtë hapësirë publike. Autoritetet përgjegjëse kanë bërë të ditur se prerja e tyre është bërë pas vlerësimit të ekspertëve për shkak të vjetërsisë dhe rrezikut eventual për kalimtarët, derisa njohësit e shkencave të pyjeve kanë konfirmuar se drutë në këtë park kanë nevojë për trajtim.

Këshilltari opozitar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Gashi, në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës ka kërkuar sqarime nga Ekzekutivi për prerjen e drurëve në park.

në faqen e Komunës, nuk munda me gjetë as ndonjë sqarim, as ndonjë reagim nga kryetari, as nga drejtoria. Dua ta di, a është bërë prerja për ndonjë arsye sigurie? Nëse po, a ka ndonjë raport profesional lidhur me këtë, apo mos është bërë prerja si përgatitje për të ndërtuar atë parkingun për vetura”, ka thënë Gashi.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, ka theksuar se drunjtë në këtë park janë të vjetër dhe se intervenimi është realizuar bazuar në raportin e njohësve të fushës, teksa ka shtuar se për çdo dru të prerë do të mbillen dy sish.

“Një komision i cili ka qenë i formuar në DSHP, i mëhershëm, me urdhëresë ka dalë në vend të ngjarjes, ka konstatuar se aty janë problematike 46 drunj. Prej tyre kanë qenë 15 drunj me rrezikshmëri të lartë dhe është dhënë urdhër që të priten. Njëzet e disa drunj kanë qenë që duhej të rinovoheshin”, ka deklaruar Lamaj.

Ndërkaq njohësi i shkencave të pyjeve, Faruk Bojaxhi, ka shprehur qëndrimin se drunjtë në Parkun e Qytetit kanë nevojë për trajtim dhe se zëvendësimi duhet të jetë adekuat.

“Realisht drutë që janë në këtë park kanë nevojë për trajtim, pasi shumica e tyre kanë kaluar moshën e pjekurisë dhe tanimë janë të rrezikshëm për komunitetin që kalon këndej pari. Kjo nuk nënkupton që këta drunj duhet të hiqen dhe të mos zëvendësohen, absolutisht këtu duhet me ndërhy dhe duhet të kompensohen me lloje të druve që janë të përshtatshme për tokën, për kushtet e terrenit dhe pasi të mbillen ata fidanë absolutisht duhet të ketë një mirëmbajtje konstante”, është shprehur Bojaxhi.

Gjatë fushatës parazgjedhore transformimi i Parkut të Qytetit me hapësira rekreative dhe parking nëntokësor ka qenë zotim i kryetarit Shaqir Totaj.