Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me përkrahjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar- SIDA, ka prezantuar sot Analizën gjinore institucionale “Krijimi i mundësive të barabarta” në këtë ministri.
Në prezantimin e gjetjeve morën pjesë ministrja Reshitaj, ambasadori suedez në Kosovë, Anders Wollter, shefja e Agjencionit për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ekspertë nga SIDA, etj.
Në fjalën e saj hyrëse ministrja Reshitaj, pasi falënderoi Organizatën Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar SIDA, që ka mundësuar realizimin e Analizës, u shpreh jo e kënaqur me rezultatet e këtij hulumtimi.
“Ky hulumtim nxjerr gjendje jo të mira të barazisë gjinore, por jam e kënaqur që ministria që unë drejtoj është institucioni i parë që bën një raport të tillë, rekomandimet e të cilit do të realizohen bashkërisht me mekanizmat ndërlidhës. Historikisht gratë shqiptare kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqëri, në edukimin e brezave të rinj, ky edukim dhe vetëdijesim është imediat edhe sot në ndërgjegjësimin e shoqërisë në ngritjen e nivelit të kujdesit ndaj mjedisit”, u shpreh nder të tjerash Reshitaj.
Realizimin e këtij raporti e vlerësoi si shumë të rëndësishëm edhe ambasadori suedez, Anders Wollter, i cili shprehu gatishmërinë e tij në përkrahje të iniciativave që kanë për qëllim avancimin e rolit të grave në institucione.
Gjetjet kryesore të këtij hulumtimi i cili është bërë me metodën kuantitative dhe kualitative, i prezantoi ekspertja e SIDA-s, Nicole Farnsworth.
Mos integrimi në mënyre të kënaqshme i perspektivës gjinore në kornizën ligjore, strategji e raporte të ministrisë, orari jo fleksibil, stereotipet gjinore, dallimi në paga dhe mëditje, mungesa e politikave e trajnimeve kundër ngacmimit seksual, janë disa nga problemet me të mëdha që identifikon ky hulumtim.
Pasi mori shqetësimet edhe nga punëtoret e ministrisë, Reshitaj u zotua që do të punojë në avancimin e grave në pozita vendimmarrëse dhe u shpreh që “tani ne si ministri jemi në proces të hartimit dhe miratimit të Rregullores së re për sistematizimin e vendeve të punës dhe konform dispozitave ligjore do të punoj në ngritjen e nivelit të barazisë gjinore në MMPH”.