Arbëri

Rënie e numrit të nxënësve dhe studentëve krahasuar me një vit më parë

shkolla

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e arsimit për vitin shkollor 2024/2025. 

Sipas statistikave, numri i nxënësve dhe studentëve ka pësuar rënie për dallim nga një vit më parë, ndërsa ka një rritje në arsimin parashkollor. 

Në arsimin parashkollor janë regjistruar 34,038 fëmijë, krahasuar me 32,818 sa ishin në vitet 2023/24, thuhet në statistikat që ASK i ka publikuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. 

Ndërkohë në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët janë regjistruar gjithsej 208,515 nxënës, që është një rënie krahasuar me vitin shkollor 2023/24 kur ishin regjistruar 215,431 nxënës. 

E në arsimin e mesëm të lartë numri i nxënësve në vitin shkollor 2024/25 ishte 63,551 krahasuar me 65,757 sa ishin në vitin shkollor 2023/24. 

Në arsimin universitar janë regjistruar 64,817 studentë, krahasuar me 70,357 sa ishin regjistruar një vit më parë. Në statistika janë përfshirë si arsimi publik ashtu edhe privat.