Arbëri

Rekord i rasteve ditore me koronavirus, Zemaj s’tregon nëse do të ashpërsohen masat

Shifër rekorde me të infektuar me Covid-19 është shënuar në 24-orëshin e fundit, që nga marsi kur edhe janë konfirmuar rastet e para me këtë virus.

Nga 932 mostra të testuara në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e në ato private, 281 persona kanë rezultuar pozitivë.

150 prej tyre janë vetëm në Komunën e Prishtinës.

IKSHPK-ja njofton edhe për 4 persona të vdekur duke e çuar totalin në 673.

Të ndjerit po trajtoheshin në Spitalin e Prizrenit, të Gjakovës, një në Mjekimin Intensiv Qendror dhe në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Ministri i Shëndetësisë nuk ka sqaruar nëse pas këtyre rasteve do të merren masa të reja me gjithë paralajmërimet e shpeshta.

Ndërsa qytetarët të cilët vendosin të shërbehen në kafene, nga kjo e mërkurë, fillimisht duhet t’i nënshtrohen matjes së temperaturës.

Në Shoqatën e Gastronomëve kanë thënë se kjo masë ishte rekomanduar më herët nga IKSHPK-ja, por që nuk e kishin praktikuar shkaku se kanë qenë duke punuar në hapësira të hapura.
“Ne nuk i rekomandojmë në atë kuptimin si shoqatë ne gjithmonë jemi në bashkëpunim dhe shqyrtim të problemeve të përgjithshme që i kemi edhe dmth gjithmonë bashkëpunojmë me MSH edhe është rekomanduar prej IKSHPK”, thotë Veton Zuka i Shoqatës së Gastronomëve.

Në një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, duke mos dhënë shumë detaje, kanë thënë se ky veprim po bëhet për shkak të rritjes së kujdesit për parandalimin e Covid-19.

Numri total i rasteve pozitive deri tash ka arritur në mbi 18 mijë, prej të cilëve kanë arritur të shërohen mbi 15 mijë persona.

Ndërsa aktive mbesin mbi 2 600 raste.