Arbëri

Salihu: Problemi me mbeturinat tërësisht politik - fajet i ka edhe "Pastrimi"

salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se për çështjen e krijuar me mbledhjen e mbeturinave në Prishtinë fajin e ka edhe udhëheqësia e kompanisë “Pastrimi”.

Ai vlerëson se problemi është tërësisht politik.

“Krejt problemi në Prishtinë në lidhje me mbeturinat është problem politik, rezultat i papërgjegjësisë së shkaktuar nga ana e përgjegjësve të ‘Pastrimit’ por edhe udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. Çuditem si Reçica nuk dorëhiqet deri tani dhe tërhiqet në formë të një shenje vullneti të mirë. Edhe Reçica është pjesë e problemit, pavarësisht narracionit të tij se je i të gatshëm për zgjidhjen e problemit”, ka thënë ai.


Reçica për problemet me Komunën e Prishtinës: Qëllimi janë tenderët korruptivë

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se e gjithë situata aktuale me menaxhimin e mbeturinave në kryeqendër e ka një qëllim – tenderët korruptivë. 

“Narrativa politike e ka një qëllim tjetër. Qëllimi i vërtetë janë tenderët e jashtëligjshëm që po i bëjnë. Është ana korruptive masive që po tentohet me bë. I jemi drejtuar Prokurorisë, Policisë. Shumë shpejt do të dalin e merren vesh gjitha veprimet e bëra”, ka thënë Reçica në “Konfront” të KTV-së. 

Ai ka thënë se rregullorja e miratuar në Kuvendin Komunal thotë se pagesa për menaxhimin e mbeturinave duhet bërë te ndërmarrja “Pastrimi”, por Komuna ka bërë thirrje të bëhet direkt në Komunë, duke u bazuar në një “mendim të marrë nga zyra ligjore”. 

“Hipotetikisht kanë menduar se duhet pezulluar rregullorja, sepse zyra ligjore ia ka dhënë një mendim të tillë. Me një mendim ligjor, e kanë pezulluar një rregullore, akt të nxjerrë nga Kuvendi Komunal”, tha Reçica. 


Shala: Ndërmarrja "Eko Regjioni" në Prizren s'ka asnjë problem me komunën

Kryeshefi i “Eko Regjioni”, Burim Shala, ka thënë se ndërmarrja nuk ka asnjë problem me Komunën e Prizrenit. 

Shala ka thënë se janë 504 punëtorë në ndërmarrje, e operon në Prizren, Suharekë, Malishevë, Dragash e Rahovec. Mbi 64 për qind të aksioneve i ka Komuna e Prizrenit. 

“Kompania nuk ka asnjë problem sa i përket inkasimit, pasi atë e bën Komuna e Prizrenit. Bisedat që bëjmë me drejtorin e shërbimeve publike, por edhe kryetarin, ata tregojnë se edhe 600 mijë euro në vit nuk arrihen të inkasohen. Por, ato i mbeten komunës e jo kompanisë. Probleme të tilla nuk kemi. Bashkëpunimi është shumë i mirë, si me kryetarin, ashtu edhe me drejtorin e shërbimeve publike...Komuna ka arritur ta shohë kompaninë ‘Eko Regjioni’ si drejtori brenda për brenda komunës”, ka thënë Shala në “Konfront” të KTV-së. 


Mustafa: Gjendja me mbeturinat në Prishtinë, me e keqja ndonjëherë

Aktivistja Valbonë Mustafa thotë se gjendja me mbeturinat aktualisht në kryeqytet është më keq se ndonjëherë më parë. Ajo ka thënë se të gjithë, përfshirë vetë qytetarët, janë fajtorë për këtë gjendje.

“Në mesin e qytetarëve është gjendje kaotike dhe është në vazhdimësi sepse ndodhin shpesh këto situata, por kjo ka qenë gjendja më e keqe që kur e mbaj mend. Për 2-3 ditë sa u grumbulluan mbeturinat, kam menduar se ku përfundojnë gjithë këto mbeturina. Të gjithë jemi fajtorë. Çka më shqetëson, i shoh shumë kamionë nëpër Prishtinë me numër telefoni dhe që bartin mbetje inerte, i kam raportuar disa herë dhe nuk është gjobitë askush”, ka thënë ajo.


Reçica: Dëmet e Komunës së Prishtinës ndaj "Pastrimit", të pariparueshme

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se Komuna e Prishtinës i ka shkaktuar dëme të rënda financiare ndërmarrjes “Pastrimi”. Ai ka thënë se një pjesë në administratë është prapa me paga, e se punëtorët e operativës i kanë marrë me kohë por me vështirësi.  

“Gjendja e rënduar financiarisht sot ka ardhur si rezultat i shumë veprimeve dhe po tentohet të krijohet kinse sot u bë një problem dhe ‘Pastrimi’ e ndali punën për shkak të narrativës që po tentohet të ngritet në nivel politik e që nuk ka të bëjë fare sepse problemi qëndron direkt në Komunë. Veprimet e fundit të tyre kanë krijuar dëme të pariparueshme financiare dhe dëme jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai në “Konfront”.

Reçica ka theksuar se Komuna e ka dëmtuar sidomos ndërmarrjen me angazhimin e operatorëve privatë.

“Prej vitit 2024 kur kanë angazhuar operatorët privatë ka filluar të dëmtohet financiarisht ndërmarrja jonë. Mbi 3.5 milionë euro kemi borxhe dhe dëm financiare. E para është paguar operatori privat nga paratë tona. Vetë komuna negocion, vetë e kontrakton dhe negocion në formë të mbyllur...”, ka thënë tutje ai.