Arbëri

Rasti i sulmit ndaj Kuvendit – refuzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Kalludra

Të papranueshëm e ka quajtur Frashër Krasniqi refuzimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për përjashtimin e gjyqtarit Beqir Kalludra nga rasti, ku ai, Egzon Haliti, Adea Batusha e Atdhe Arifi akuzohen për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

Sipas Krasniqit, Kalludra u tregua joprofesionist në procesin gjyqësor të shkallës së parë dhe dështoi të tregohej i paanshëm, raporton KOHA.

Me vendimin e Gjykatës për mospërjashtimin e gjyqtarit Kalludra nga ky rast nuk pajtohet as aktivisti i Vetëvendosjes, Egzon Halili, derisa shton se një kërkesë e tillë mund të parashtrohet sërish.

Por, kolegu i Halilit nga Vetëvendosje, Atdhe Arifi, ka thënë për KTV-në se beson që Kalludra duhet të qëndrojë dhe ta trajtojë këtë lëndë deri në fund.

“Kalludra duhet ta rigjykojë dhe t’i përmirësojë gabimet në rastin tonë pas kthimit në pikën zero nga gjykata e shkallës së dytë”, ka thënë Arifi.

Gjykatësi Kalludra nuk ka dashur të komentojë rastin, dhe shkurt përmes telefonit ka thënë se për përgjigje duhet referuar vetëm gjykatës.

Gjykata Themelore e Prishtinës, në nëntor të vitit 2017, i kishte shpallur fajtorë 4 të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, për sulm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2016.

Më 2018-n, Apeli e ktheu rastin në rigjykim, pasi gjeti shkelje në vendimin e shkallës së parë.

Seanca fillestare dështoi të mbahej më 4 mars të këtij viti, pas kërkesës së mbrojtjes së Frashër Krasniqit për përjashtimin e gjyqtarit Kalludra, i cili edhe është kryetar i trupit gjykues në këtë rast.