Arbëri

Nis rigjykimi ndaj Krasniqit, Batushës, Halitit e Arifit për sulmin në Kuvend

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Avokati Tomë Gashi ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, Beqir Kalludrës.

“Duke marrë parasysh që kemi qenë në kohë të gjatë në këtë gjykim dhe kemi vërejtur anshmëri dhe duke pasur parasysh aktgjykimin e kësaj gjykate, posaçërisht duke pasur parasysh arsyetimin e këtij gjykimi ku ndër tjera është shënuar në faqen 26, prg 1, se kinse ekzistimi i faktit real instinktivisht u pranua, pra, në këtë rast fitoi instikti natyror i së vërtetës në raport me vetëdijen dhe se vetëdija kriminale-djallëzore për një moment nuk ishte e kujdesshme”, tha Gashi, raporton KTV.

Edhe pse në vitin 2017 të njëjtit ishin shpallur fajtor duke u dënuar me gjithsej 21 vite e 6 muaj burgim, Apeli mori për bazë ankesat duke e rikthyer lëndën në rigjykim për shkak se gjeti shkelje ligjore gjatë aktgjykimit në shkallën e parë.

Për të njëjtin rast ishte arrestuar edhe Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili më pas u gjet i vdekur në qelinë e tij në Prizren aty edhe ku po mbahej.

Me propozimin e Gashit, nuk është pajtuar avokati i Atdhe Arifit, Ramiz Krasniqi.