Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka përmendur dy mënyra se si mund të implementohet dhe të vihet në funksion Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë, teksa ka thënë se aktualisht Kosova është në një fazë të tranzicionit në këtë aspekt.
Sipas tij mënyra e parë është që BQK-ja dhe Banka Qendrore e Serbisë të zhvillojnë transaksione në mes tyre.
“Konvertimi i dinarit në euro do të jetë lehtë i zbatueshëm për ata që pranojnë pagesat në dinarë e do t’i kthejnë në euro”, ka theksuar Rashiq në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën.
Mirëpo sipas tij, për shkak të rrethanave politike kjo nuk do të ishte lehtë e zbatueshme.
Mënyra tjetër sipas tij është që vetë bankat, të cilat kanë përfaqësi në Kosovë dhe në Serbi, ta bëjnë direkt kthimin e dinarit në euro.
“Kur bankat kanë përfaqësi këtu dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt”, është shprehur Rashiq.
Ai tha se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka përmendur se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit, "por prapë nëse ka gatishmëri nga pala tjerë, sepse çdo afat që e cekim tani do të ishte i pasaktë".
Rashiq, të mërkurën, ka takuar guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.
Sipas një njoftimi për media të BQK-së guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi e ka njoftuar Rashiqin për ndryshimet e fundit në Rregulloren për operacione me para të gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.
Kjo Rregullore i jep fund përdorimit të dinarit në Kosovë dhe përcakton që Euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa në Kosovë.
Gjatë takimit thuhet se është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.