Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se zbatimi i Rregullores së BQK-së që nuk lejon valuta të tjera në Kosovë përpos euros duhet të bëhet në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Serbisë. Ai përmendi dy rrugë në bazë të të cilave mund të gjendet zgjidhja për dokumentin që ka nxitur reagime ndërkombëtare
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka prezantuar të mërkurën dy rrugë për të cilat tha se mund të ndiqen, në mënyrë që pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon valutat e huaja, përfshirë dinarin, periudha e transicionit të rezultojë e suksesshme.
Në një konferencë për media pas takimit që e zhvilloi me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, Rashiq theksoi se për realizimin e tyre duhet bashkëpunim edhe me Bankën Qendrore në Serbi.
“Do të thotë konvertimi i dinarit në euro do të jetë shumë i lehtë dhe shumë i zbatueshëm për ata që pranojnë dërgesa në dinarë dhe ata do të konvertohen në euro. Ndoshta kjo për shkak të rrethanave nuk do të ishte e zbatueshme apo e mundshme, prandaj kemi edhe mënyrën numër dy. Është mënyra tjetër kur bankat të cilat kanë përfaqësi këtu, e edhe në Serbi, të bëjnë kthimin e dinarit në euro direkt dhe përdorimi të bëhet këtu”, ka thënë Rashiq.
Ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj Kosovës për ta zgjatur përtej fundit të shkurtit fazën e transicionit dhe kanë kërkuar që zgjidhja që lidhet me dinarin të gjendet në kuadër të dialogut. Kjo për shkak që mijëra serbë operojnë me dinarë ose sigurojnë të hyra nga Serbia, në forma të ndryshme, po me dinarë.
Ministri Rashiq bëri të ditur se guvernatori i BQK-së ka përmendur se faza e transicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit. Por ai nuk theksoi se kjo është një datë fikse.
“Pyetja kyç, sfida kyç është gatishmëria e Bankës Qendrore të Serbisë që të veprojë në një prej atyre dy mënyrave që përmenda më herët dhe unë e kisha lutur që të mos bëhej kjo një sfidë politike, por të jetë vetëm një sfidë operacionale sa i përket datës së transicionit. Nuk mund të ceket (data kur përfundon transicioni v.j.), se nuk kemi një afat që mund të vendosim”, ka theksuar ai.
Serbia financon me dinarë strukturat ilegale në Kosovë dhe po në valutën e saj shpërndan edhe të ardhura mujore për mijëra serbë. Edhe shitblerja në komunat me shumicë serbe bëhet kryesisht në dinarë.
Ministri Rashiq tha se aktualisht ka hutim te qytetarët serbë në lidhje me hyrjen në fuqi të Rregullores së BQK-së, që përcakton se euroja është valuta e vetme e lejuar në Kosovë.
Por, sipas tij, Rregullorja nuk do të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.
“Unë dua t’ju them të gjithëve, posaçërisht punëtorëve në këto institucione, që diçka kësisoj natyrisht nuk do të ndodhë. Këtu e kam edhe vërtetimin dhe premtimin prej kryeministri. Ata mund të vazhdojnë të trajtojnë pacientët dhe të mësojnë fëmijët”, ka theksuar Rashiqi.
Për takimin që ministri për Komunitete dhe Kthim ka pasur me guvernatorin, ka lëshuar njoftim edhe BQK-ja, sipas të cilit Ismaili e ka njoftuar Rashiqin për ndryshimet e fundit në Rregulloren për operacione me para të gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.
Kjo rregullore i jep fund përdorimit të dinarit në Kosovë dhe përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa në Kosovë.
Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë ekzistuese, alternativat dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshme financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Kosovës.