Arbëri

Mandatimi i Konjufcës nga Osmani – mes interpretimesh kushtetuese dhe akuzave për arbitraritet

Vjosa Osmani - Glauk Konjufca

Mandatimi i Glauk Konjufcës për formimin e Qeverisë nga presidentja Vjosa Osmani ka nxitur reagime të shumta e të kundërta në skenën politike. Ndërsa presidentja dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbrojtur vendimin si plotësisht kushtetues, opozita e ka cilësuar si lojë teatrale. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e vlerësoi si shkelje kushtetuese. E ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se vendimi i Osmanit, përveçse shkelje kushtetuese, përbën edhe arbitraritet. Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti Demokratike i Kosovës (KDI) u shpreh se vendimi i presidentes mund të përbëjë precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

Më 4 nëntor, Osmani e mandatoi Konjufcën për formimin e Qeverisë, duke sqaruar në një konferencë për media se veprimi i saj është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Gjatë konferencës, ajo u shpreh se ishte bindur nga partia e parë (LVV-ja) se i ka gjasat për formimin e qeverisë në tentativën e dytë. Sipas Osmanit, askund në Kushtetuese nuk shkruan se duhet garanci, por siç thotë ajo, kërkohen vetëm gjasa.  

“Neni 95, paragrafi 4 i Kushtetutës së Kosovës përcakton qartë se brenda dhjetë ditësh presidentja e Republikës emëron kandidatin tjetër, sipas së njëjtës procedurë. Kushtetuta nuk i lë hapësirë diskrecionit të kreut të shtetit për mosemërim të kandidatit të dytë në rast se ekziston propozim nga partia e parë. Gjuha është obligative dhe më detyron ta bëj këtë emërim”, theksoi Osmani.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili dështoi të formojë qeverinë më 26 tetor, ka thënë se propozimi i Konjufcës është bërë për të shmangur mbajtjen e dy palë zgjedhjeve brenda pak muajsh dhe të çohen përpara vendime të rëndësishme.

“Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar: unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin, siç jemi dakorduar në kryesi. Të votohet buxheti i shtetit dhe plani i rritjes së Bashkimit Evropian, të bëhen punët urgjente dhe më pas të shkojmë në zgjedhje,” tha Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

Megjithatë, propozimi i Konjufcës nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive opozitare. Partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend kanë konfirmuar se nuk do ta mbështesin atë për kryeministër.

PDK-ja përmes një komunikate për media ka theksuar se “zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja”.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur veprimin e VV-së “shfaqje teatrale”, duke theksuar se kjo parti nuk i ka votat e nevojshme për të formuar qeverinë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mandatimi i Konjufcës nga presidentja, pa dëshmi për shumicë parlamentare, përbën “shkelje të qartë kushtetuese”. Edhe Nisma Socialdemokrate ka konfirmuar se nuk e mbështet kandidaturën e tij.

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për emisionin Konfront në KTV, ka thënë se vendimi i presidentes Osmani është “jo vetëm shkelje kushtetuese, por edhe arbitrar”, pasi ajo nuk mund të veprojë vetëm mbi bazën e bindjes personale se një kandidat “ka gjasa” të sigurojë shumicën.

“Në rend të parë është abuzim i pushtetit sepse është bërë në mënyrë arbitrare mandatimi i Konjufcës dhe shkelje kushtetuese për faktin se nuk janë respektuar kriteret të cilat janë kritere objektive të matshme të përcaktuara edhe me Kushtetutë por mbi të gjitha me dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetutese. Gjykimi i parë siç e dini ka dhënë përcaktues një standard që është quajtur kriter përcakatues që nënkupton çdo herë vlerësim të matshëm të dy vlerave. Cila ka vlerë ma të madhe, duhet të plotësohet me aktgjykimin e dytë i cili ka përcaktuar se kur abuzohet e drejta ose prerogative kushtetuese e fituesit të zgjedhjeve dhe janë caktuar kriteret e matshme. Është thënë t’i iket zgjedhjeve. Mbi bazën e matjes së këtyre dy kritereve mbizotëruese, ikjes së zgjedhjeve, nuk mundet të prevalojë me çdo kusht. Diskrecioni i presidentit të Republikës, një organi, ani nuk është arbitraritet, të bësh çka të duash. Ajo se cfarë bëri Osmani është tërësisht subjektive”, deklaroi Hasani.

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se gjasat për formimin e qeverisë duhen të jenë të matshme dhe të verifikueshme pasi mund të krijojë precedent të rrezikshëm për të ardhmen, pas deklaratave të Osmanit mbi “gjasat dhe garancinë”.

“Çdo veprim pa prova reale do të ishte i diskutueshëm dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për të ardhmen – ku dy parti, mbase edhe me numër të njëjtë të deputetëve, do të mund të pretendonin njësoj se kanë shumicën, dhe vendimi i presidentes do të mbetej në terren subjektiv. Po ashtu, nuk mund të anashkalohet e as të injorohet fakti politik dhe juridik – se gjatë konsultimeve, shumica absolute e partive parlamentare janë shprehur hapur kundër formimit të një qeverie të re në këtë legjislaturë. Në këtë situatë, barra e provës bie mbi LVV-në, e cila duhet të dëshmojë në mënyrë objektive se i ka të paktën 61 vota”, ka shkruar ai.

Sipas Kushtetutës, i mandatuari ka afat 15 ditë nga dita e marrjes së mandatit (pra, nga 4 nëntori) për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota për t’u zgjedhur.

Nëse as kandidati i dytë – në këtë rast Glauk Konjufca – nuk arrin të sigurojë shumicën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dështimi i mandatimit.

Kujtojmë se më 26 tetor dështoi përpjekja për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, pasi kandidati Albin Kurti mori vetëm 56 vota, pesë më pak se minimumi i nevojshëm për ta krijuar ekzekutivin.