Arbëri

Raporton shefi i Agjencisë për Inteligjencë: Siguria në nivelin e duhur

Prapa dyerve të mbyllura, në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka raportuar shefi i saj, Petrit Ajeti.

Pas diskutimit që u bë pa praninë e mediave është deklaruar kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu.

Në adresimin e saj Musliu tha se morën garanci nga shefi i AKI-së se gjendja e sigurisë në Kosovë është në nivelin e duhur.

“Mund të konstatojmë që gjendja e sigurisë është në nivelin e duhur, nuk parashihet ndonjë rrezik i mundshëm i sigurisë kombëtare”, tha Musliu.

Në këtë mbledhje të Komisionit, mes tjerash, janë diskutuar sfidat me të cilat është përballur AKI-ja gjatë kësaj periudhe dhe mënyrat për kapërcimin e tyre.

“Ne kemi ofruar bashkëpunim për aq sa na takon neve si Komision dhe jemi në takime të rregullta, ku dhamë rekomandimet dhe sugjerimet dhe bëjmë kontrollin demokratik në bazë të ligjit dhe Rregullores së Kuvendit. Drejtori i ka kryer një obligim ndaj Komisionit dhe qytetarëve”, tha Musliu.

Në krye të Inteligjencës Kosovare, Ajeti është emëruar 10 muaj më parë dhe deri më tash disa herë ka raportuar para Komisionit për AKI-në.