Mangësi në procese të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024, ZKA-ja gjeti se MSH-ja e shkeli ligjin e prokurimit, duke e kufizuar konkurrencën e edhe duke pranuar oferta me çmime të ndryshme për produkt të njëjtë
Parregullsi në procedura të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë janë evidentuar në raportin e auditimit, për pasqyrat financiare të këtij institucioni për vitin 2024.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ministria e shkeli Ligjin e Prokurimit, ngase në tenderin për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, përfshiu emra të brendeve të caktuara, që është në kundërshtim me ligjin.
“Pika 7 e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit e ndalon çdo referencë direkte apo indirekte ndaj një prodhuesi, marke apo origjine, për ta shmangur favorizimin. Në procedurën e prokurimit ‘Ndërtimi i QKMF-së në Istog’ me vlerë të kontratës 2.364,143 euro, Ministria e Shëndetësisë në Dosjen e Tenderit, përkatësisht te përmasa dhe parallogaria, ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë emra të brendeve të caktuara. Po ashtu, OE-ja fituese e kishte paraqitur kontratën e menaxherit të projektit, të nënshkruar nga i njëjti person në rolin e punëdhënësit dhe punëmarrësit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Një tjetër mangësi e evidentuar në procesin e prokurimit është gjetur në kontratën për furnizim me pajisje mjekësore dhe inventarë në repartin e Pediatrisë në Mitrovicë, në vlerë mbi 45 mijë euro.
“Janë evidentuar se disa produkte me përshkrim të njëjtë teknik, janë paraqitur si pozicione të ndara me emërtime të ndryshme. Si rezultat, është nënshkruar dhe realizuar kontrata me çmime të ndryshme për produktin e njëjtë. Këto parregullsi janë rezultat i neglizhencës së personave përgjegjës, gjatë përgatitjes së specifikimeve teknike në procesin e inicimit të procedurës së prokurimit”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, këto parregullsi në procesin e prokurimit, përbëjnë kufizim të konkurrencës, duke favorizuar produkte të caktuara dhe duke e penguar pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë me produkte të ngjashme.
Për këtë, ZKA-ja i ka rekomanduar ministrit të ndërmarrë masa për forcimin e kontrolleve të brendshme, me qëllim sigurimin e zbatimit të plotë të kërkesave ligjore gjatë përgatitjes dhe vlerësimit të tenderëve.
E, gjashtë rekomandime të vitit paraprak, sipas ZKA-së janë zbatuar.
Në Ministrinë e Shëndetësisë janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e raportit, teksa janë zotuar se brenda 30 ditësh do të përgatitet planveprimi për zbatimin e tyre.