KOHA ka marrë vesh se misioni i OSBE-së në Kosovë, ia ka vazhduar kontratën e punës përderisa ka qenë e paraburgosur në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan Jelena Gjukanoviqit, tani e dënuar nga Themelorja për “Spiunazh”. Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk e ka mohuar as konfirmuar, por ka thënë se nuk komenton publikisht mbi raste individuale të punësimit. OSBE nuk ka treguar as nëse ka pasur ndonjë procedurë disiplinore ndaj saj për shkelje të Kodit të Sjelljes i cili kërkon nga të punësuarit të mos kryejnë veprime që do të mund ta diskreditonin organizatën
Punëtorja e misionit të OSBE-së në Kosovë, e shpallur fajtore si spiune, Jelena Gjukanoviq, sipas burimeve të KOHËS, është vizituar sa ishte në paraburgim nga pjesëtarë të këtij misioni. Arsyeja e vizitës së njërit nga ta në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, sipas burimeve, ka qenë dërgimi i kontratës së punës për ta nënshkruar.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, nuk e ka mohuar se kjo ka ndodhur por as nuk e ka konfirmuar. Ka thënë se nuk i komenton punësimet individuale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Siç është theksuar më parë dhe në përputhje me politikat organizative, misioni i OSBE-së në Kosovë nuk komenton publikisht mbi raste individuale të punësimit apo veprime specifike administrative që kanë të bëjnë me anëtarët e stafit. Të gjitha çështjet që lidhen me punësimin, përfshirë rekrutimin, marrëveshjet kontraktuale dhe çdo procedurë administrative, zhvillohen në përputhje të rreptë me rregullat dhe rregulloret e stafit të OSBE-së si dhe procedurat e brendshme”, thuhet në përgjigjen e misionit të OSBE-së në Kosovë.
Si punonjëse e misionit të OSBE-së në Kosovë, Gjukanoviq u prezantua edhe para trupit gjykues, në seancën e shqyrtimit fillestar, në shtator të vitit të kaluar, gati 7 muaj pasi u arrestua. Ajo u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, nëse aktualisht punon diku dhe e konfirmoi se është e punësuar në OSBE.
“Ende jam e punësuar në OSBE”, ka thënë Gjukanoviq.
Misioni i OSBE-së nuk ka treguar nëse i është shkëputur kontrata e punës, pas 27 prillit kur ajo u shpall fajtore për veprën penale të spiunazhit dhe u dënua me 6 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Dokumenti 130 faqesh i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që quhet Rregullorja për Personelin dhe Rregullat e Personelit, kërkon nga i punësuari ta njoftojë atë në rast të arrestimit, aktakuzës ose thirrjes gjyqësore në cilësinë e të pandehurit në procedura penale, në rregullin numër 2.03.2. Ndërsa shkëputja e marrëdhënies së punës për arsye disiplinore, sipas rregullit 4.02.5, mund të ndodhë pas një procesi disiplinor. Sipas Rregullores, masa disiplinore ndaj një anëtari të stafit, nëse merret, duhet të jetë proporcionale me peshën e shkeljes disiplinore, siç e përcakton rregulli 9.04.1.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se të gjithë anëtarët e tij janë të detyruar t’i përmbahen këtij dokumenti dhe Kodit të Sjelljes që është pjesë e tij, si ankes.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë konfirmon se të gjithë anëtarët e tij janë të detyruar t’i përmbahen Kodit të Sjelljes të OSBE-së, si dhe rregullave dhe rregulloreve të stafit të OSBE-së. Këto standarde zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë organizatën, dhe OSBE-ja i merr shumë seriozisht çdo shkelje të pretenduar të Kodit të Sjelljes, duke pasur procedura të përcaktuara për trajtimin e rasteve të tilla. Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta profesionale. Si çështje politike institucionale, Misioni nuk komenton publikisht rastet individuale të punësimit”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së, për KOHËN.
Kodi i Sjelljes i OSBE-së, mes tjerash, kërkon nga të punësuarit të mos kryejnë veprime që do të mund ta diskreditonin organizatën.
“Zyrtarët e OSBE-së duhet të sillen në nivelin më të lartë personal dhe profesional në çdo kohë, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe jashtë saj, me qëllim që ta përfaqësojnë me sukses OSBE-në. Zyrtarët e OSBE-së nuk duhet të veprojnë në mënyrë që mund të sjellë diskreditim për Sekretariatin, institucionin ose misionin ku janë të caktuar, për stafin e tij dhe për OSBE-në në përgjithësi”, thuhet në Kodin e Sjelljes.
Megjithatë, OSBE-ja në Prishtinë, nuk ka treguar nëse ka pasur ndonjë proces disiplinor ndaj Gjukanoviqit, nëse ajo e ka diskredituar në ndonjë mënyrë organizatën apo ka kryer ndonjë shkelje tjetër disiplinore.
Gjukanoviq, e cila në shkallë të parë u shpall fajtore për spiunazh, është akuzuar nga Prokuroria Speciale se si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, ka përcjellë informacione për agjentin rezident të agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandër Vlajiq, të cilat më pas janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s në Beograd.
Sipas Prokurorisë Speciale, në ditën kur ka ndodhur sulmi terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut më 2022, Gjukanoviq ka pasur komunikim me Vlajiqin, tani i dënuar po ashtu në shkallë të parë, për të njëjtën vepër penale.
Sipas burimeve të KOHËS, ajo është vizituar në qendrën e paraburgimit disa herë nga zyrtarë të misionit të OSBE-së. Në Shërbimin korrektues kanë thënë se në atë qendër vizitat lejohen vetëm me autorizim nga gjykata.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se çdo person që ndodhet në paraburgim i nënshtrohet rregullave dhe procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Në këtë fazë, vizitat dhe kontaktet me persona jashtë institucionit lejohen vetëm me autorizim paraprak nga gjykata kompetente, e cila ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.
Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka një javë që nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me vizitat që Gjukanoviq ka pasur sa ka qenë në qendër të paraburgimit.
Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt të vitit 2025 nën akuzën se e ka furnizuar Agjencinë e Serbisë për Siguri dhe Inteligjencë me të dhëna sensitive për çështje politike dhe të sigurisë në Kosovë.