Arbëri

Ramaj: Problematike se si Krasniqi përmes emailit ka urdhëruar të nënshkruhet kontrata

Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka thënë se nuk e di se çfarë mbështetje dhe guximi ka pasur ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që të urdhërojë përmes emailit zyrtar të nënshkruhet një kontratë për një tender.

Krasniqi u arrestua më 19 prill nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit. Ai sot u pezullua nga detyra e kryeshefit të KEK-ut.

Ramaj ka treguar për dy kontratat për të cilat po hetohet Krasniqi. Ndërsa, ka thënë se për të është problematike që një kryeshef ka guxim që përmes emailit të urdhërojë të nënshkruhet një kontratë.

“Ai po hetohet për një marrëveshje me KEDS-in, por lënda është e ndarë. Me njërën prej tyre po merret prokurori special që është në rastin e Martin Berishajt. Pra, Nagip Krasniqi është i dyshuar për dy raste, dhe po hetohet nga dy prokurorë të ndryshëm. Njëra kontratë është për rinovimin e kaldajave. Për mua është problematike qysh një kryeshef ka guxim të shkruajë me email zyrtar dhe t’i urdhërojë të nënshkruhet kontrata. Kjo qasje tregon që ai nuk e dinë saktë punën e vet, ose është aq naiv sa të mos e kuptojë që do të jetë aferë korruptive nëse i drejtohet me email zyrtare. Atij i është dukur se po bojkotohet nga prokurimi. Por si mundet të urdhërojë një kryeshef nënshkrim të kontratave?”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.

Në kontratën e dytë, sipas Ramajt, ka të bëjë një kontratë me zyrën ligjore të avokatit Isuf Zejna. Ajo ka treguar versionin që i ka thënë Zejna për këtë çështje.

“Arsyetim i Isuf Zejnës ka qenë interesant. Më ka thënë se ka konkurruar në një tender të hapur, ku kanë konkurruar tri kompani, kompania e Zejnës ka pas ofertën me 800 euro për njësi, njëra kompani me 1200, e tjetra 3300. Por kjo është anuluar. Me kontratë të negociuar, është zgjedhur kontrata më e lirë, e kompanisë Zejna”, ka shtuar ajo.