Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramaj: Ka pasur marrëveshje mes kompanive për rritjen e çmimit të barnave

Gazetarja e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për dokumentarin hulumtues të Institutit “Columbus” “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike”, ka thënë se ka pasur marrëveshje mes kompanive farmaceutike për rritjen astronomike të çmimit të barnave.

Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është vonuar në ndalimin e kontratave për blerjen e barnave me çmime të fryra ndërsa ministri Uran Ismaili i ftuar në “Interaktiv” ka thënë se këtë realitet e kishte gjetur kur ishte emëruar si ministër.

“Ka pasur marrëveshje mes kompanive farmaceutike që të bëjnë rritjen astronomike të çmimeve. Janë 200 produkte, maksimumi që kemi gjetur keqpërdorime të çmimit është 2 mijë për qind”, ka thënë Ramaj.

“MSH-ja është vonuar në ndalimin e këtyre kontratave”, ka shtuar ajo.

“Kam qenë në dijeni para se të dilte ky raport [dokumentari]. Por raporti ka pasur qëllim të marrjes së të dhënave në mënyrë sistematike. Ka qenë raportim më hulumtues por nga raportimet ditore kanë pasur disa kontrata që t’i nënshkruajë nga ana ime”, ka thënë Ismaili që pranon se çmimi i fryrë nuk përkon me tregun e Kosovës për barna.

“Nëse një ilaç ka kushtuar 25 euro, në barnatore ka kushtuar 9-10 euro. Kam kërkuar nga institucionet që ta analizojnë situatën dhe të mos vijnë me idenë se ne nuk kemi si të veprojmë. Ne jemi pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë. Kam thirr inspektoratin farmaceutik dhe ka dalë që më është ofruar një çmim më i lartë sesa në tregun aktual”, ka thënë Ismaili.

“Kam qenë i bindur që të mos e nënshkruaj këtë kontratë. KRPP-ja na ka dërguar një letër që na ka thënë se nëse faktet janë të vërteta ju nuk jeni të obliguar ta nënshkruani. E kemi anuluar kontratën dhe është hera e parë që është anuluar një kontratë për fryrje të çmimeve. Është realitet që e kam gjetur në ministri, Instituti Columbus e ka bërë më publike. Është mirë kur të dokumentohet pa ngjyrim politik”, ka thënë veç të tjerash ai.

Artikuj të ngjashëm