Listat e partive me kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, më së largu të dielën duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Analisti politik Shkodran Ramadani shprehu pritje nga subjektet politike që të respektohen kriteret minimale ligjore, etike e profesionale gjatë hartimit të tyre. Gjithashtu theksoi nevojën edhe për përfaqësim më të gjerë gjeografik. Në legjislaturën e kaluar partitë u përqendruan në zona të caktuara, si Prishtina, Drenica e Dukagjini
Subjektet politike kanë kohë deri të dielën që t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat e kandidatëve për deputetë.
Deri tash asnjë nga subjektet e mëdha politike nuk e ka bërë publike listën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike, tha se hartimi i listave nga partitë duhet të bëhet në përputhje me kriteret minimale ligjore, etike e profesionale.
“Duhet respektuar disa standarde minimale që qytetarit t’i ofrohet një listë me emra cilësorë, sepse deputetët nuk janë thjesht përfaqësues tanë, por mund të jenë model, janë standard i sjelljes shembullore të qytetarëve edhe pse në praktikë ndoshta rrallë ndodh që deputetët të jenë shembuj të qytetarisë”, ka thënë Ramadani.
Në zgjedhjet e kaluara për Kuvend, në listat e partive politike gjetën vend edhe kandidatë që kishin probleme me ligjin.
Me qëllimin që të mblidhen më shumë vota për partinë, subjektet futën në lista edhe kryetarët e komunave, të cilët më pas u tërhoqën, për t’ua lënë vendin kandidatëve që nuk i siguruan votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë.
KOHA ka dërguar pyetje te të gjitha subjektet e mëdha politike nëse këto çështje janë diskutuar e adresuar, por asnjë nuk ka kthyer përgjigje.
Pos kritereve minimale, sipas Shkodran Ramadanit, partitë duhet të kenë edhe përfaqësim më të gjerë gjeografik.
Nga 48 deputetët e Vetëvendosjes nga legjislatura e kaluar, mbi 20 ishin nga rajoni i Prishtinës, të ndjekur nga ai i Anamoravës e Mitrovicës. Megjithatë nga kjo parti pati përfaqësim në Kuvend të të gjitha rajoneve.
Në Partinë Demokratike nga 24 deputetët sa pati së fundi, gati gjysma e tyre ishin nga rajoni i Drenicës, i ndjekur nga i Prishtinës dhe i Ferizajt. Pa përfaqësim brenda PDK-së në Kuvend ishin Dukagjini e Anamorava.
Në Lidhjen Demokratike, nga 20 deputetët e përbërjes së shkuar të Kuvendit, më shumë se gjysma ishin nga rajoni i Prishtinës, i pasuar nga ai i Dukagjinit. Ndonëse në numra minimalë kjo parti pati deputetë nga të gjitha rajonet.
E nga Dukagjini ishin që të pesë deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ramadani vlerëson se partitë vendosin për përfaqësimin gjeografik, varësisht prej prioriteteve për ta rritur apo ruajtur bazën votuese.
“Ka parti të caktuara që duan të rriten. Ato duhet të tentojnë të dalin me lista që nuk reflektojnë vetëm pikat e tyre të forta zgjedhore dhe të votës, por të kërkojnë të rriten edhe në drejtime të tjera ku janë më të dobëta dhe më pak të pranishme. Ka parti që duan ta ruajnë votën e tyre, normalisht ato që fokusohen në bastionet e tyre ku janë më të forta”, ka thënë Ramadani.
Kriter ligjor për hartimin e listave të deputetëve është edhe respektimi i kuotës gjinore prej 30 për qind.