Arbëri

Rama: Transformimi i FSK-së ka qenë sfidues, por i suksesshëm

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka deklaruar se procesi i transformimit të FSK-së në fazat që nga paslufta, është bërë përmes një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm.

Rama ka deklaruar se ky transformim është bërë me ndihmën e partnerëve strategjikë, i nisur që nga paslufta.

“Është një rrugëtim i gjatë, i suksesshëm, duke filluar nga lufta çlirimtare. Si rrjedhojë e kësaj, është bërë transformimi përmes ndihmës së partnerëve strategjikë. Transformimi nga UÇK-ja në TMK ka qenë i gjatë por është finalizuar me sukses. Qëllimi ka qenë ta bëjmë finalizimin, nga viti 99 jemi transformuar në TMK dhe kemi qenë shembull dhe institucioni më i besueshëm duke marrë për bazë nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai në Raport të KTV-së.

Rama ka theksuar se Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë transformuar në FSK në vitin 2009, nën menaxhimin e NATO-s. Ai ka thënë se me t’u shndërruar në FSK, një pjesë e trupave të TMK-së kanë mbetur jashtë procesit.

“Në vitin 2009 është bërë transformimi në FSK e menaxhuar nga NATO, në atë kohë kemi qenë të përfshirë të gjithë. S’ka qenë projekt i lehtë. Gjysma e TMK-së kanë mbetur jashtë, sepse në bazë të kritereve, është bërë procesi i vettingut apo vlerësimit, i cili ka qenë i autorizuar nga NATO në Kosovë”, ka potencuar ai.

Shndërrimi në një organizatë të re dhe të moderuar, Rama thotë se ishte mjaft sfidues. Roli i FSK-së, tashmë më i konkretizuar, ka qenë jo lehtë i kuptueshëm.

Ka qenë sfidë kalimi nga një organizatë në një organizatë të re më të moderuar, ku do të ketë rol civil, ka qenë jo e lehtë e kuptueshme për të gjithë ne, por me kohë, kemi tejkaluar. I kemi vlerësuar nevojat që i kanë pasur qytetarët e Kosovë. Kemi kaluar kohën e pasluftës ku gjithçka ka qenë e shkatërruar dhe kemi marrë hapat për formimin e çdo gjëje në vend. Ka qenë rrugëtim i vështirë që ia kemi dalë. Ne e kemi arritur qëllimin tonë që e kemi pasur. Misioni dhe mandati i ri është ushtarak por emrin nuk e kemi ndryshuar pasi që duhen 2/3 e deputetëve shumicë dhe 2/3 të pakicave. Misioni dhe detyrat janë të rëndësishme”, ka thënë ndër tjera.

Rama ka potencuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë tentuar çdoherë që të mos jenë barrë e shtetit në aspektin ekonomik. Ai shton se kanë qenë të kujdesshëm në ndërtimin e planit të tranzicionit.

Duke folur për rolin e FSK-së, Rama ka thënë se i kanë tejkaluar pritshmëritë e tyre.

“Ne jemi fleksibil dhe këto dy vitet e fundit i kemi tejkaluar pritshmëritë tona. Nëse e marrim situatën e pandemisë, ne nuk e kemi parashikuar që do i kemi këto probleme sepse është problem që e ka kapluar gjithë globin. Edhe në këtë fazë e kemi menaxhuar mirë brenda stafit tonë të FSK-së”, ka thënë Rama.