Vendimi pritet të marrë formë përfundimtare në seancën plenare të së premtes, ndërsa deputetët e të dyja taborëve e kanë cilësuar këtë hap si dëshmi të rritjes së kapaciteteve të sigurisë dhe rolit ndërkombëtar të Kosovës
Dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza ka marrë dritën e gjelbër në komisionin për Çështje të Sigurisë, të martën.
Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë se ushtarët e FSK-së janë të gatshëm që të përfshihen në misione paqeruajtëse kudo nëpër botë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Vërtet jemi në fazën kur duhet të krenohemi me të arriturat e ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës që tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, në një mision paqeje në Gaza”, ka thënë ajo.
Deputeti i Partisë Demokratike, Rrahman Rama, e ka quajtur arritje të jashtëzakonshme të vendit, përfshirjen e FSK-së në misioni paqeruajtës në Lindjen e Mesme.
Ai ka kërkuar që shteti të kujdeset për ushtarët që do të shkojnë në Gaza.
“Është shumë me rëndësi mirëqenia e tyre dhe trajtimi i tyre gjatë misionit atje. Me siguri ne jemi për atë punë që t’i krijojmë kushte, kushte sa më të mira që ata t’i kryejnë detyrat dhe misionin mbi bazën e ligjeve. Kush ka menduar që ne do të mbërrijmë në atë fazë që mos të jemi konsumues të sigurisë, por prodhues të saj, që është një e arritur e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Rama.
E deputeti i Lidhjes Demokratike, Fadil Hadërgjonaj, ka thënë se ky mision dëshmon përgatitjen e ushtarëve të Kosovës.
“Është një ngjarje e jashtëzakonshme ku po vihet në pah profesionalizmi, përgatitja dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët vërtetë në vazhdimësi qoftë individualisht, qoftë si ekipe në gara të ndryshme, stërvitje të ndryshme na kanë bërë krenarë përherë”, është shprehur Hadërgjonaj.
Pas miratimit nga komisioni, marrëveshja do të hidhet në votim në seancën plenare të së premtes.
Në fund të marsit, qeveria e procedoi në Kuvend marrëveshjen për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pati deklaruar se kërkesa që FSK-ja t’i bashkohet Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese mbështetet në ftesën nga komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara, vullnetin politik të shprehur në Bordin e Paqes si dhe ligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.