Arbëri

Rama paralajmëron Qeverinë me dërgim në Kushtetuese

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se nëse i bllokojnë bartjen e mjeteve financiare, atëherë do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ku është i bindur që do ta fitonte rastin.

Komunat kanë akuzuar së fundmi Ministrinë e Financave për bllokim të të hyrave vetjake të pashpenzuara të komunave. Qeveria ka thënë se nuk ka bërë kurrfarë bllokimi, ndërsa komunat kanë thënë se me bllokim shkelet Ligji për menaxhim të financave publike. Të hënën, kryeministri Albin Kurti do të zhvillojë një takim me kryetarët e komunave, ndërsa Rama ka thënë se do ta shfrytëzojë këtë takim për të kërkuar edhe një herë zhbllokimin e fondeve nga të hyrat vetanake të pashpenzuara.

Prishtina ka 51 milionë euro të bllokuara, ndërsa 22 milionë prej tyre janë gjatë qeverisjes së Ramës vitin e kaluar, e të tjerat janë nga kryetarët e kaluar.

“Po shpresoj që është keqkuptim, e do ta kemi bartjen prej 51 milionë eurove. Janë fonde të paguara nga taksapaguesit të kryeqytetit. Nuk na dalin këto fonde për çka i duhet kryeqytetit. Nëse i ndalin fondet, nuk kemi rrugëdalje tjetër, përveçse me e çu në Kushtetuese dhe t’i marrim fondet që na takojnë”, ka thënë ai në “038” të KTV-së.

Ditë më parë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës vënë kusht pikërisht këtë çështje, për të votuar në Kuvend çfarëdo ligji. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se problemi është krijuar nga vetë Lidhja Demokratike në opozitë, e cila e ka hartuar një amendament në Ligjin e buxhetit. Por shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se gabimet duhet t’i korrigjojë vetë ministri, i cili, sipas tij, është duke vepruar në kundërshtim me Ligjin. Këtë kushtëzim e kanë shprehur edhe ligjëvënës të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët i bënë thirrje pushtetit të gjejë zgjidhje.

Rama ka thënë se Prishtinës i duhet buxhet më i madh, pasi siç thotë ai, ende marrin grante me statistika të vitit 2011. E gjërat, sipas të dhënave të Komunës, kanë ndryshuar shumë në këto 12 vjet prej kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë.

“Prishtinës i duhet buxhet më i madh. Ne jemi të diskriminuar me buxhetin që kemi sepse ende punojmë me statistikat e vitit 2011. Shpresoj që do të ndodhë në shator regjistrimi i popullsisë, por kam informata që do të shtyhet për vitin tjetër. Kjo na dëmton. Ne marrim grante qeveritare për 189 mijë banorë, e sipas disave të dhënave, sillet 350 deri në 450 mijë banorë. Censusi do të ishte i mirëseardhur që do ta determinonte saktësisht ku është Prishtina. Çdo fond shtesë i vyn kryeqytetit, sepse ka mbetur mbrapa me dekada e tani e kemi një hov të ripërtrirshëm. Por ne po i shfrytëzojmë edhe mundësitë tjera si partneritetin publiko-privat, të përdorim këto instrumente të bankave, siç është ndërtimi i pesë shkollave”, ka shtuar Rama.