Arbëri

Rama: Nga viti i ardhshëm 100 milionë euro shtesë për pensionistët

Edi Rama

Foto: Associated Press

Shqipëria ka ndarë 100 milionë euro shtesë për pensionistët që nga viti i ardhshëm.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama në një videomesazh, nga marrja e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

“Padyshim që pjesën e luanit të buxhetit 2026 e zënë pensionistët për të cilët e nisim vitin e ardhëm me 100 milionë euro shtesë përveç indeksimit, në 2027 e dyfishojmë 200 milionë euro plus indeksimi, 45 milionë euro. Në 2028 e trefishojmë 300 milionë euro plus indeksimi, 46 milionë euro. Në 2019, e katërfishojmë 400 milionë euro, plus indeksimi. 47 milionë euro Dhe në 2030 e pesëfishojmë, 500 milionë euro, plus indeksimi 48 milionë euro. Pra janë miliardë më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht gjatë mandatit tonë”, theksoi Rama.

Ai po ashtu theksoi se nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të shkojë në 500 euro, ndërsa deri në fund të mandatit do rritet në 700 euro.

“Nga janari do rritet edhe paga minimale, të cilën do marrin shumën e premtuar 500 euro. Paga minimale do të arrijë 700 euro. Do të subvencionojmë për një periudhë 9-mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve në sektorin privat. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Ato 83 mandate që ju na dhatë, janë 83 arsye më shume sesa deri dje për të mos fjetur gjumë. Për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer me gjithë pasionin të gjithë atë që ju na dhatë me besim të jashtëzakonshëm”, është shprehur Rama, raportoi KSP.

Projektbuxheti për vitin 2026 në Shqipëri konsiderohet më i madhi në historinë e këtij vendi. Pritet të kapë vlerën e nëntë miliardë eurove ose rreth një miliard euro më shumë se në 2025-tën.