Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka kërkuar të rishikohet dizajni i Parkingut nëntokësor te oborri i Universitetit të Prishtinës.
Ai ka thënë se Parkingu pritet të hapet tërësisht deri në fund të muajit tetor.
“Dizajni origjinal s’ka mundësuar thellësi të mirëfilltë për me u mundësuar rritjen e drunjve të ngjashëm me ato që ishim më përpara. Insistimi ka qenë që të rishikohet dizajni, të krijohet një peizazh që mundëson edhe mbjelljen e drunjve jo vetëm të madhësisë që ishin, por edhe madhësisë më të lartë. Të ketë pamje më të mirë se që ishte. Të mos e degradojmë. Mbjellja e drunjve, tetori është për këtë. Në tetor ndodh mbjellja e drunjve, deri në fund të tetorit do të bëhet hapja e parkingut. Një pjesë do të hapet më parë”, ka thënë Rama në emisionin “038” në KTV.
Ai ka thënë se duhet hapur një pjesë më parë pasi është në proces të zgjerimit të sheshit “Nënë Tereza”, duke nisur fillimisht nga Katedralja.
“Për këtë na duhen numër shtesë të parkingjeve”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë testimet njëkahore të unazës qendrore, kësaj radhe edhe në ditë të punës. Rama ka shtuar se do të bëhet një ridizajnim i hapësirave, e do të largohen edhe semaforë.
Rama ka folur edhe për mundësinë e ndërtimeve të larta në Kodrën e Trimave, Kolovicë dhe Prishtinë të Vjetër. Ai ka thënë se shumë qytetarë jetojnë atje me 50 vjet në shtëpi të ndëretuara në pronja të Komunës dhe se do të shihet mundësia të rregullohet kjo çështje. Ai ka thënë se do të bëhet një rigjenerim i asaj zone, dhe se do të krijohen më tepër hapësira të gjelbra, shkolla e qendra të mjekësisë familjare, ndërsa për të bërë këtë duhet ndërtuar edhe ndërtime të larta.