Mendime të kundërta për të njëjtin proces kanë dhënë të premten stafi që udhëheqë vaksinimin dhe qytetarët që po vaksinoheshin në qytetin e Rahovecit, tek objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Elbunit Kryeziu, ka thënë se procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë dhe se nuk ka ndonjë vështirësi të pamenaxhueshme. Pritjet e qytetarëve për të marrë vaksinën, sipas tij, nuk zgjasin më shumë se 10 minuta, por është ankuar se po bëhen fare pak terminë online gjë që po e vështirëson punën në Qendrën e Vaksinimit, duke i shtuar radhët e pritjes. Për këta, ai e ka fajësuar edhe dështimin e sistemit të ministrisë përkatëse. Sipas drejtorit Kryeziu deri tani në Rahovec janë vaksinuar rreth 21 mijë qytetarë, ndërkohë që mesatarja ditore e vaksinimit është 700 persona.
Disa vullnetarë të Kryqit të Kuq që kishin ardhur ta ndihmojnë procesin në këtë qendër ankohen se po kanë probleme me mbajtjen e rendit.
Qytetarët, shumica pa maska, vërtiten nëpër korridor dhe kanë pasur vështirësi në gjetjen e vendit të tyre.
“Stafi i Qendrës së Vaksinimit duhet vetë me i caktu terminët dhe të na thërrasë nga shtëpitë, tamam si njerëz, ka pritje të gjata, maltretime, ne në Afganistan s’jemi, jemi në Kosovë, nuk është normale kjo”, ka thënë qytetari Adil Hoxha.
Hamdi Morina ndërkaq është shprehur se rreshtat e pritjes do të evitoheshin duke i shpërndarë punët nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare(QMF).
“Pse unë të vij nga Ratkoci, kur e kemi QMF-në në fshat”, ka pyetur ai.