Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

As vaksinimi në xhami s'bën punë për ngritje të interesimit për vaksinim në Rahovec

Interesimi për vaksinim me vaksinën anti-COVID nuk po rritet në Komunën e Rahovecit, përkundër përpjekjeve të stafit shëndetësor. Përveç thirrjeve të vazhdueshme për vaksinim dhe gatishmërisë së rregullt në Qendrën e Vaksinimit në objektin e QKMF-së, kjo qendër ka ngritur edhe ekipe mobile për vaksinim në terren të atyre që nuk mund të arrijnë në qendër, ndërkaq të premten është provuar edhe vaksinimi në xhaminë në qendër të Rahovecit.

Vaksinimi në xhami sipas korrdinatorit të QKMF-së në Rahovec, Qazim Cana ka ardhur pas një vendimi që është marrë në një takim mes përfaqësueseve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës. Të premten gjatë ditës ekipi i QKMF-së së Rahovecit ka qëndruar në xhami në pritje të vaksinimit, por sipas koordinatorit Cana aty janë vaksinuar vetëm 2 persona.

Të hënën e ardhshme autoritetet komunale në bashkëpunim me përfaqësuesin e BIK-ut në Rahovec vendosin nëse do të vazhdohet me vaksinim nëpër xhami, apo jo.

Koordinatori Cana ka bërë me dije se nga fillimi i procesit të vaksinimit në Komunën e Rahovecit, janë administruar rreth 49 mijë vaksina anti-COVID, që sipas tij përbëjnë imunizimin e 60 përqind të popullatës mbi moshën 18 vjeçare të kësaj komune.

Krahas vaksinimit me vaksinën anti-COVID, koordinatori Cana ka bërë me dije për KOHËN se po bëhet edhe vaksinimi me vaksinën kundër gripit sezonal për të moshuarit, për të cilën sipas tij ka një interesim.

Për të lehtësuar punën dhe për të evituar ngarkesën në qendër, QKMF-ja ka mundësuar vaksinimi kundër gripit sezonal edhe në tri QMF, në Krushë të Madhe, në Ratkofc dhe Xërxë.