Zyrtarët komunalë të Podujevës planifikojnë që në fund të këtij muaji vaksinimi kundër COVID-19 të zhvendoset për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në disa QMF-ja nëpër fshatra.
Aktualisht si qendër vaksinimi funksionon salla e edukatës fizike e shkollës “Xheladin Rekaliu”. Në këtë Qendër jepen pos vaksinave kundër COVID-19 edhe vaksina kundër gripit sezonal.
Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, ka thënë se vërehet një rënie e interesimit për t’u vaksinuar.
“Me vaksinë antiCOVID-19 në ditë vaksinohen rreth 150-170 persona, kurse me vaksinë sezonale të gripit vaksinohen 40-50 persona. Mund të vërehet rënie e interesimit për të dy vaksinat, por jo rënie drastike nëse krahasohen me shifrat e mëhershme. Sepse kjo rënie justifikohet me përqindjen e lartë të të vaksinuarve me dozën e parë dhe të dytë, ku deri tash janë administruar rreth 73 mijë vaksina”, ka theksuar Fatri Zhitia.
Sipas tij, Qendër e vaksinimit në Shkollën “Xheladin Rekaliu” do të jetë e hapur edhe javën e ardhshme.
“Jemi në fund të procesit të krijimit të infrastrukturës nga Ministria e Shëndetësisë për të kaluar me vaksinim në QKMF-Podujevë, QMF-Kërpimeh, QMF-Lluzhan, QMF-Orllan dhe AMF-Gllamnik dhe posa të bëhemi gati do të fillojmë në këto qendra. Besojmë shumë se në këto qendra do të fillojmë prej javës së fundit të muajit nëntor. Salla për edukatës fizike në “Xheladin Rekaliu” do të lirohet në fund të muajit”, ka thënë zëdhënësi Zhitia.
