Komuna e Rahovecit ka paralajmëruar zyrtarët publikë se nëse nuk i përfillin masat anti-COVID nuk do të lejohet të hyjnë në ambientet e punës nga 13 shtatori.
Sipas njoftimit publik, për të mos mbetur jashtë vendeve të punës, zyrtarët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit qoftë edhe me vetëm një dozë të vaksinës anti-COVID, testin negativ PCR jo më të vjetër se tre ditë, apo dëshminë se e kanë kaluar koronavirusin, ose testin antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka bërë thirrje që punonjësit e institucioneve t'i respektojnë masat e rekomanduara në këtë njoftim, për të mos ardhur tek masat e ndalimit të hyrjes në vendin e punës. Latifi duke folur për KOHËN ka thënë se njoftimi i komunës që ka ardhur si derivat i rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së, duhet të përfillet nga të punësuarit e sektorit publik.
Avni Morina, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Rahovecit, ka thënë për KOHËN se nga 846 punonjës në sektorin e arsimit, mbi 720 janë vaksinuar të paktën me njërën dozë.
“Për ata punonjës të arsimit që kanë mbetur pa u vaksinuar, në marrëveshje me QKMF-në e Rahovecit kemi caktuar të dielën e radhës si ditë për vaksinimin e arsimtarëve dhe besoj që të gjithë do të vaksinohen me përjashtim kur mjeku nuk ua rekomandon atë”, ka bërë me dije Morina.
Edhe
Në Rahovec janë vaksinuar të gjithë mësimdhënësit që i plotësojnë kushtet për vaksinim
I pyetur nëse stafi i Drejtorisë së Arsimit janë vaksinuar, apo mund të mos lejohen të hyjnë nga 13 shtatori në zyrat e tyre, drejtori i Arsimit ka bërë me dije se të gjithë aty janë të vaksinuar, shumica prej të cilëve me dy dozat.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, në Komunën e Rahovecit, Saranda Sallteku, ka thënë për KOHËN se të gjithë punëtorët e administratës janë të vaksinuar me dozën e parë, e shumica edhe me të dytën.
“Gjithsesi do të zbatohet njoftimi për moslejim hyrjeje në vendin e punës nëse nuk përfillen masat anti-COVID”, ka thënë Sallteku.
Elbunit Kryeziu, drejtor i QKMF-së në Rahovec, ka njoftuar se personeli shëndetësor në këtë qendër kanë qenë të parët që janë vaksinuar me të dyja dozat dhe se aty nuk e kanë problem kurrfarë mase eventuale.
Por gjendja te Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Rahovec nuk është edhe e lakmueshme në aspektin e vaksinimit.
Edhe
Latifi u kërkon drejtorëve të shkollave që buxhetin ta shpenzojnë me kohë
Sami Boshnjaku, komandant i zjarrfikësve të Rahovecit ka njoftuar për KOHËN se vetëm gjysma e personelit janë të vaksinuar.
“Pas datës 13 shtator nëse nuk sjellin dëshmitë e kërkuara, gjysma e të punësuarve do të mbesin jashtë dyerve të objektit ku punojnë”, ka thënë ai.