Arbëri

Qytetarët thonë se do ta presin Vitin e Ri në shtëpi

Për ta shënuar natën e Vitit të Ri, Komuna e Prishtinës ka organizuar një koncert festiv. Mirëpo qytetarët u shprehën se edhe sivjet do ta vazhdojnë traditën për ta festuar ndërrimin e motmoteve në shtëpitë e tyre.

Atmosferë festive ka mbretëruar në sheshet e kryeqytetit në ditën e fundit të vitit 2023. Muzika që argëtonte qytetarët dëgjohej në çdo cep të shesheve.

Për ta shënuar ndërrimin e motmoteve, Komuna e Prishtinës ka organizuar një koncert.

Nga ora 18 deri në orën 1 pas mesnate do të performojnë artistë shqiptarë, si grupi “Asgjë Sikur Dielli”, e rap-artistët e grupit “PINT”.

Përkundër organizimeve nga komuna, qytetarët thonë se do ta vazhdojnë edhe sivjet traditën për ta shënuar Vitin e Ri në shtëpitë e tyre.

“Në shtëpi do ta festojmë ka ardh edhe vëllai nga Gjermani me familje, jemi bërë bashkë. Ky vit na ka bashku faktikisht familjen tonë… A ka më mirë se me festua vitin e ri pa incidente, duhet të kemi kujdes si në komunikacion si në shesh, me pasë më shumë kujdes e të festojmë tamam një festë si thonë me zemër”, ka thënë Fadil Fazliu, qytetar.

Edhe bashkatdhetarët thonë se natën e parë do të kalojnë në ambientet familjare. Ata shpresojnë që viti i ardhshëm do të jetë më i suksesshëm për shtetin e Kosovës.

“Shpresojë që viti i ardhshëm do të jetë më i hareshëm do të zgjidhen disa probleme, e shpresoj që kjo Kosovë do të vazhdojë më në fund të punojë pa probleme… Për vitin e ri do të jem këtu pasi i kam djemtë këtu, përndryshe unë jetojë vet në Amerikë por kam ardh për shkak të festës së Vitit të ri se e di që këtu festohet më së miri”, është shprehur Neki Shabani, qyetar.

“Gjithnjë e kom prit jashtë vitin e ri, e tash kam ardhë bashkë me bashkëshorten time këtu dhe këtu do ta presim sivjet me familjen time, me vëllezër e motra dhe me kushërinj”, ka thënë Selatin Xhemshiti, qytetar.

Por ajo që po i pengon më së shumti qytetarët është zhurma e mjeteve piroteknike.

“Për besë jo vetëm që po më pengojnë por edhe më frikësojnë, e sidomos mbrëmë mere me mend kanë 12 natës, thash mos ka hy prapë Serbia brenda”, ka shtuar ai.

Me kalendarin shtetëror, ditë feste në vend për ta shënuar natën e Vitin e Ri është 31 dhjetori, e 1 dhe 2 janari.