Arbëri

Qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës ku banojnë

Ministria e Shendetesise

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se qytetarët do të përzgjedhin mjekun familjar brenda zonës në të cilën banojnë.

Ministria nuk ka dhënë detaje se kur do të mund të fillojë përzgjedhja, po ka njoftuar fillimisht, procesi do të pilotohet në katër komuna: Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë (QMF-5- Ulpianë dhe QMF-6- Bregu i Dellit), për të vazhduar pastaj shtrirjen në tërë vendin.

Ministria ka njoftuar se kohë më parë e ka miratuar planin e veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në kujdesin parësor shëndetësor.

Sipas një njoftimi të Ministrisë, qëllimi i këtij plani është që secili qytetar të ketë mundësinë që të përzgjedh mjekun familjar brenda zonës së banimit dhe sigurimit të qasjes në shërbime shëndetësore në kohën e duhur dhe sipas kërkesës.

“Përmes përzgjedhjes së mjekut familjar do të krijohet lista e banorëve/pacientëve dhe kjo do të kontribuojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore. Rrjedhimisht, kjo do të ndikojë edhe në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Plani thuhet se e thekson rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për ruajtjen dhe përcjelljen e shëndetit të qytetarëve në vazhdimësi dhe përfitimet e qytetarëve nga ky proces.

“Ministria do të ju mbajë të informuar për hapat e mëtejmë në procesin e përzgjedhjes së mjekut familjar brenda zonës suaj të banimit dhe ecurinë e mëtejme”, thuhet në njoftim.