Në një dëgjim publik që ka organizuar Komuna e Zubin-Potokut të mërkurën, morën pjesë qytetarë shqiptarë e serbë. Ata i shprehën kërkesat e tyre para kryetarit e drejtorëve të Komunës lidhur me planifikimin e buxhetit për periudhën 2025-2027. E, kryetari Izmir Zeqiri iu premtoi zgjidhje të gjithëve
Problemet me të cilat përballet çdo ditë në lagjen ku jeton, një qytetar serb i shprehu të mërkurën para kryetarit dhe drejtorëve të Komunës së Zubin-Potokut.
Në dëgjimin publik që u mbajt për ndarje buxhetore për periudhën 2025-27, ai ka kërkuar përmirësimin e kushteve, duke veçuar rrugën dhe rrymën.
“Lagjja ku ne jetojmë kemi probleme me rrugën, pra nuk është e asfaltuar dhe kemi probleme me rrymë, andaj kërkojmë nga ju që të na ndihmoni për rregullimin e këtyre problemeve”, ka thënë ai.
Ndonëse nuk është planifikuar buxhet për këto kërkesa, kryetari Izmir Zeqiri i premtoi zgjidhje qytetarit serb.
“Do të shohim se çfarë do të bëjmë për lagjen ku jetoni, të shohim sa duhet të jetë buxheti për ato probleme, për shkak se kjo nuk është e përfshirë në buxhet, mirëpo ju premtojmë se do t’ju ndihmojmë për zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë ai.
Banorët e fshatit Çabër patën një tjetër kërkesë për kryetarin. Ata u ndalën te shkolla.
“Kërkojmë nga ju që ta bëni ngjyrosjen e shkollës sonë në fshatin Çabër, pasi që kushtet nuk janë të mira, kërkojmë nga ju edhe rregullimin e tualeteve, pasi që nuk janë në rregull sa duhet”, ka thënë një qytetar shqiptar.
E jashtë sallës ku u mbajt takimi qytetarët u shprehën të kënaqur me punën e kryetarit Zeqiri.
“Puna e kryetarit deri tani është shumë e mirë, aq sa ka mundësi punon, në fshatin tonë ka bërë subvencionimin e disa serrave dhe ka ndihmuar bujqit në bizneset e tyre”, ka thënë një qytetar shqiptar.
E një qytetar serb foli për presionin që po u bëhet nga Lista Serbe dhe nga Serbia.
“Nuk dua të flas para kamerës, sepse kemi presione politike. Shembull, një koleges i kanë hedhur shok-bombë me qëllim frikësimi, si shkak që ka bashkëpunim me Komunën, ne disa duam të flasim, por nuk kemi mundësi”, ka thënë ai.
Për vitin 2025, Komuna e Zubin-Potokut ka planifikuar buxhet prej 882 mijë eurosh. Dëgjim publik për planifikim të buxhetit në këtë komunë pritet të mbahet edhe më 5 e 6 shtator.