Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QKRMT-ja kërkon trajtim të veçantë për kryerësit me çrregullime mendore

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka reaguar lidhur me vetëvrasjen e një të paraburgosurit 33-vjeçar, të enjten në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

QKRMT-ja u ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i marrin veprimet e nevojshme për krijimin e hapësirave të duhura për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.

“Duke marrë shkas rastin e të paraburgosurit Y.D. (33 vjeç) i cili më datë 19.08.2021 bëri vetëvrasje në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, edhe një herë u bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t’i marrin veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për krijimin e hapësirave të duhura për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore”, thuhet në reagim.

QKRMT-ja konsideron se, përkundër ofrimit të shërbimeve nga stafi shëndetësor dhe ai korrektues, vendosja e të paraburgosurit në fjalë, në Qendrën e Paraburgimit është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Për më tepër, rasti ne fjalë, që fatkeqësisht kulmoi me humbje jete, është emëruesi i përbashkët i shumë rasteve tjera, që në mënyrë konsistente shpërfaq neglizhencën dhe injorimin e rekomandimeve tona nga ana e institucioneve gjegjëse, për trajtimin e domosdoshëm të çështjes së vendosjes dhe kujdesit për kryerësit me çrregullime mendore. Në raportimet e vazhdueshme të QKRMT-së, është potencuar pamundësia për trajtimin e këtyre rasteve brenda institucioneve korrektuese, duke evidentuar: mungesën e ofrimit të shërbimeve psikiatrike të vazhdueshme, mungesën e kapaciteteve të stafit korrektues, si dhe rrezikun e mundshëm të shkaktuar nga kryerësit me çrregullime mendore, duke përfshirë edhe vetëlëndimet dhe vetëvrasjet”, thuhet më tej në reagim.

Edhe Rreth 200 të burgosur në Kosovë kanë nevojë për trajtim psikik Arbëri Rreth 200 të burgosur në Kosovë kanë nevojë për trajtim psikik

Sipas evidencave të QKRMT-së, në shumë raste këta persona janë vendosur në institucionet korrektuese në kundërshtim me Aktvendimet për caktimin e paraburgimit, ku gjykata e ka caktuar që paraburgimi dhe ekzaminimi psikiatrik të bëhet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), mirëpo në mungesë të vendeve të lira në IPFK të paraburgosurit janë dërguar në qendrat e paraburgimit.

Burgu