Arbëri

QIKA hedh peceta menstruale para Qeverisë, kërkon heqjen e TVSH-së

QIKA hedh peceta menstruale para Qeverisë, kërkon heqjen e TVSH-së

Foto: Driton Paçarada

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) përmes hedhjes së pecetave menstruale para objektit të Qeverisë së Kosovës ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tatimit mbi vlerën e shtuar në këto produkte.

“Peceta nuk është luks”, shkruhej në një pecetë që u vendos në objekt të Qeverisë në shenjë proteste.

Nga kjo qendër, në një deklaratë për media, aktivistet kanë thënë se gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare për të siguruar produkte menstruale e se në Kosovë ende menstruacionet shihen si diçka e ndytë dhe e turpshme.

“Në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, gratë shpesh detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin e tyre gjatë ciklit menstrual, ndërsa shteti zgjedh të heshtë. Shteti e shikon varfërinë e grave si çështje të dorës së dytë. Në vend që të sigurojë qasje pa barriera në peceta dhe tampon, i detyron gratë të paguajnë 18% tatim për to, një normë që aplikohet për produkte joesenciale. Qeveria nuk po vepron as në përputhje me vullnetin qytetar. 7500 qytetarë të Kosovës e nënshkruan peticionin e udhëhequr nga QIKA në vitin 2023 ‘Peceta nuk është luks’. Ndërkaq 71 organizata dje iu bashkuan QIKA-s në letrën drejtuar ministrit në detyrë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për heqjen e taksës për produkte menstruale. Andaj sot në Ditën Botërore të higjienës menstruale në shkallët e Qeverisë së Kosovës hodhëm peceta menstruale të mbështjella me gazeta për t’ju bërë me dije se stigma nuk vjen vetëm nga shoqëria. Stigma menstruale po mirëmbahet edhe përmes politikave shtetërore. Kjo taksë është pengesë për gëzimin e së drejtës në shëndet për gratë dhe personat që menstruojnë. Është shkelje e të drejtave të njeriut e rrjedhimisht edhe kundërkushtetuese”, kanë thënë nga QIKA pas aksionit.