Arbëri

Qeveria shprehet e gatshme për mbështetje të Turqisë pas tërmetit

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës deklaroi se qëndron në gatishmëri të plotë për mbështetje dhe solidaritet me Turqinë pas tërmetit tragjik që la qindra viktima.

Nëpërmjet një komunikate, Qeveria tha të hënën se Ambasada e Kosovës në Ankara do të vazhdojë të marrë informata nga autoritetet turke nëse në qytetet e goditura ka shtetas të Kosovës, për t’iu ofruar ndihmën e nevojshme.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Raportet e para tregojnë për pasoja jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në objekte banimi. Qeveria e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit. Shpresojmë që në orët në vijim të mos rritet numri i viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme t’i ofrojë Turqisë ndihmë.

“Në vazhdën e tërmetit shkatërrues të mëngjesit të sotëm, shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për popullin e Turqisë dhe Sirisë, për familjet e viktimave dhe për ata që mbetën papritmas pa shtëpi. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, shkroi ai në Twitter.

Qindra të vdekur e të lënduar u regjistruan të hënën nga tërmeti tragjik në Turqi dhe në Siri.