Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti në takim me Angilin: Turqia, mike e dëshmuar e popullit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime të thella në emër të Qeverisë së Kosovës, ambasadorit të Turqisë, Sabri Tunç Angili, për viktimat e tërmetit.

Kurti takoi ambasadorin ku i shprehu mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk, “si mik e partner i dëshmuar i popullit dhe Kosovës”.

Kurti theksoi se Kosova është pranë Turqisë dhe popullit turk, dhe mbi bazën e kapaciteteve të saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, kanë ndihmuar në këtë kohë të vështirë pas tërmetit.

Ambasadori ka shprehur mirënjohje për ndihmën që Kosova i ka dhënë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti shkatërrues.

“Në këtë takim u bisedua për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në ekonomi, siguri, mbrojtje dhe kulturë. Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, u theksua potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare, përmirësimi i bilancit tregtar, si dhe shtimi i investimeve nga bizneset e Turqisë. U bisedua edhe për lidhjet e forta kulturore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës dhe mundësitë për organizime të përbashkëta të ngjarjeve kulturore dhe artistike”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.