Mbështetje financiare për familjet e prekura nga tërmeti në Turqi, si dhe për transportimin e kufomës së argjentinases së vrarë në Kosovë ka dhënë Qeveria e Kosovës të mërkurën. Në mbledhjen e ekzekutivit janë miratuar edhe disa vendime, mes tjerash, edhe për lidhjen e disa marrëveshjeve me qeveritë e Suedisë dhe Austrisë
Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro për t`i ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti në Turqi.
Dy tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë në fillim të muajit shkurt shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve.
“Duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e shtetit të Turqisë për mijëra jetët e humbura tragjikisht nga tërmeti shkatërrues në Turqi rikonfirmojmë solidaritetin dhe ndihmën tonë të parezervë, andaj propozohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 500 mijë euro”, ka theksuar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, këto mjete është dashur të zotohen në takimin e mbajtur në Bruksel për këtë qëllim.
“Për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje në nivel të barabartë me shtete e tjetra ne kemi vendosur që të mos bëjmë zotimin aty por si qeveri në formë bilaterale të ndajmë këto mjete”. Ka theksuar Murati.
Ekzekutivi, 4 mijë e 200 euro i ka ndarë edhe për të mbuluar shpenzimet e transportimit të kufomës së argjentinases, e cila dyshohet se është vrarë nga i dashuri i saj në Fushë-Kosovë muaj më parë.
Edhe
Kosova ndan gjysmë milioni euro për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi
“MD duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe aspektin human dhe marrë parasysh pamundësinë financiare të familjes së saj në Argjentinë ka proceduar kërkesën dhe propozimin për ndarjen e mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimin e transportimit të kufomës të shtetases së ndjerë argjentinase nga Prishtina në kryeqytetin e Argjentinës”, ka theksuar zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.
Në mbledhjen e Qeverisë, mes tjerash, janë miratuar edhe nismat për marrëveshje me Qeverinë e Suedisë për ekstradim, transferim të personave të dënuar e ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale.
Miratimin e mori edhe nisma për marrëveshje Kosovë-Austri për sigurime shoqërore. Sipas ministrit Murati, përmes kësaj marrëveshjeje do të mundësohet bashkimi i periudhave të kontributit të dhënë e marrja e pensionit në Kosovë nga qytetarët që kanë punuar në Austri.