Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria pret listën përfundimtare të veteranëve për t’u marrë me pagën minimale

Pa përfunduar finalizimi i listës së veteranëve dhe kategorizimi i tyre, paga minimale nuk pritet të ketë ndryshime.

Megjithëse Këshilli Ekonomik Social kishte marrë vendimin që paga minimale të rritet nga 130 dhe 170 në 250, Ministria e Financave ende nuk ka vendosur për këtë propozim, raporton KTV.

Kjo Ministri i ka thënë KTV-së se një prej ndikimeve negative në situatën aktuale është Ligji për Veteranët, për arsye se derisa të ndodhë plotësim-ndryshimi i tij, vlejnë dispozitat e ligjit bazik.

Ligji bazik specifikon qartë se paga e veteranëve nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale.

Faktor tjetër, Ministria përmend edhe qëndrimin e FMN-së dhe ndikimin tek investitorët e huaj.

Mirëpo, qëndrim krejt tjetër ka ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Edhe Ligji për Veteranët pengon rritjen e pagës minimale në 250 euro për sektorin privat Arbëri Ligji për Veteranët pengon rritjen e pagës minimale në 250 euro për sektorin privat

Ai insiston se vendimi i marrë në Këshillin Ekonomik Social erdhi pas një varg analizash dhe se i njëjti nuk bie ndesh me asnjë proces tjetër.

Ndërsa, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës shqetësohet rreth kontrollit të bizneseve nëse të njëjtat do t’i respektojnë vendimet e institucioneve.

Në një publikim të fundit të FMN-së, ky institucion ka kërkuar përmirësimin e konkurrencës dhe politika të matura në të ardhurat, duke rekomanduar që çdo rritje e pagës minimale të jetë në përputhje me mekanizmin aktual të përcaktimit të pagës minimale.