Rritja e pagës minimale që nga Qeveria ishte kualifikuar si urgjencë për t’u miratuar, ka gjashtë muaj që po qëndron në sirtarët e Kuvendit dhe nuk po shqyrtohet nga komisionet. Shtysë miratimit të këtij ligji pushteti nuk i jep me arsyetimin se po synojnë të arrijë një konsensus më të gjerë. E opozita pavarësisht zhurmës së madhe që e kishte bërë kundër përmbajtjes së ligjit, nuk kanë propozuar amendamente që ta ndryshojnë përmbajtjen e ligjit
Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj qëkur Kuvendi i ka dhënë miratimin në parim projektligjit për Pagën Minimale, porse shqyrtimi i tij në lexim të dytë ende nuk ka nisur.
Rritja e pagës minimale, që nga pushteti kualifikohej si urgjencë, nuk është trajtuar në asnjë komision parlamentar që prej 14 qershorit. Në Lëvizjen Vetëvendosje, subjekt ky në pushtet, vonesën e kanë justifikuar me pritjen për një konsensus më të gjerë, me qëllim të shmangies së pakënaqësive, sikur në kohën e miratimit të Projektligjit në parim.
Me të, paga minimale ishte përcaktuar të rritet nga 130 konkretisht 170 euro, në 264 euro, bruto. Drafti i ligjit të sponsorizuar nga Qeveria, e kishte shkëputur rritjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Kjo shkëputje ishte bërë për shkak të implikimit buxhetor që ka në skemat pensionale, sidomos në atë të veteranëve. Rreth 40 mijë persona marrin pension të veteranit dhe lartësia e kësaj shume është e rregulluar me ligj që të mos paguhet nën pagën minimale të përcaktuar në Kosovë. Për ta bërë të mundur rritjen e pagës minimale pa implikuar pensionet që jepen nga shteti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte dhënë një propozim që kishin të bënin me hartimin e një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare, propozim për të cilin deri më sot nuk janë pajtuar kategoritë e dala nga lufta.
Në pritje të konsensusit me veteranët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, që është anëtar i Komisionit për buxhet, ka thënë për KOHËN se pikërisht pajtimi me veteranët është arsyeja pse nuk është bërë procedimi i ligjit në lexim të dytë.
“Vonesa lidhet me një konsensus që ne kërkojmë ta arrijmë me veteranët e luftës e që shpresoj që kjo do të vijë shumë shpejt në diskutim dhe në sjelljen e ligjit në lexim të dytë, sepse është në interes të përgjithshëm”, ka thënë Korenica.
Miratimin në parim të këtij projektligji opozita e kishte kundërshtuar në forma të ndryshme brenda seancës, meqë nuk pajtoheshin për përjashtimin kategorive të lartpërmendura e as me shumën e saj. Por, me gjithë kundërshtitë që kishin pasur, për trajtimin e mëtejshëm të draftit të ligjit, nuk kanë dorëzuar kurrfarë amendamentesh për t’ia ndryshuar përmbajtjen.
Opozita ankohet, nuk propozon amendamente
Deputeti i PDK-së në Komisionin për buxhet, Mërgim Lushtaku, ka thënë se nuk kanë dorëzuar amendamente meqë ato, sipas tij, nuk po merren në konsideratë nga pushteti i cili sipas tij, po funksionon vetëm me fuqinë e numrave.
“Kemi parë se nuk po merren parasysh në aspektin përmbajtjesor dhe numerik të votave. Kemi parë që vetëm të kundërshtojmë votimin e ligjit për pagën minimale, për arsye se e kemi parë se kemi hasur në vesh të shurdhër jo vetëm ne por të gjitha ato kategori që janë prekur nga ligji për pagën minimale”, ka thënë ai.
E deputeti tjetër opozitar nga AAK-ja, Pal Lekaj, ka shprehur kundërshtitë e tij në pikat me të cilat nuk pajtohet me përmbajtjen e ligjit.
Për këta 6 muaj Lekaj ka thënë se nuk kanë dorëzuar amendamente, porse do ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen.
“Sa i përket ligjit për pagën minimale, nuk janë të përfshira kategoritë e ndryshme sociale siç janë paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbrit. Nuk e kanë bërë infrastrukturën ligjore dhe nuk e kanë lidhur pensionin e tyre dhe mbesin jashtë skemës. Ne do të bëjmë amendamentim gjithsesi ,që edhe kjo kategori të përfshihet, po ashtu edhe veteranët e luftës”, ka deklaruar ai.
Pas miratimit në parim të këtij projektligji, Organizata e veteranëve të luftës kishte mbajtur protestë para Kuvendit të Kosovës.