Botë

Droni rus godet një ndërtesë në Ukrainën lindore, 2 të vrarë e 12 të plagosur

dron

Një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në Ukrainën lindore herët të shtunën, duke vrarë dy gra dhe duke plagosur 12 persona, raportuan autoritetet ukrainase.

Sulmi ndodhi në qytetin Dnipro, i cili është qyteti i katërt më i madh në Ukrainë dhe ishte pjesë e një vale të gjerë sulmesh me raketa dhe dronë nga Rusia në të gjithë vendin, që kishin cak infrastrukturën energjetike, raporton AP. 

Në Ukrainën lindore, luftimet për qytetin strategjik të Pokrovskut kanë hyrë në një fazë kritike.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjithsej 458 dronë dhe 45 raketa, përfshirë 32 raketa balistike. Forcat ukrainase arritën të rrëzonin 406 dronë dhe nëntë raketa, por 25 zona u goditën.

Ministrja ukrainase e Energjisë, Svitlana Grynchuk, njoftoi në Facebook se autoritetet u detyruan të ndërprisnin energjinë elektrike në disa rajone për shkak të sulmeve.

Në ndërtesën nëntëkatëshe në Dnipro shpërtheu zjarr dhe disa apartamente u shkatërruan, njoftuan shërbimet e emergjencës. Mes viktimave ishin dy gra, ndërsa ndër të plagosurit ndodheshin edhe dy fëmijë.

Ndërkohë, në Rusi, guvernatori i rajonit jugor të Volgogradit, Andrei Bocharov, tha të shtunën se forcat ruse zmbrapsën një “sulm masiv” gjatë natës ndaj objekteve energjetike. Bocharov tha se sulmi shkaktoi ndërprerje të energjisë në disa pjesë të veriperëndimit të rajonit, por pa viktima.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kishin rrëzuar 82 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë tetë mbi rajonin e Volgogradit. Në rajonin fqinj të Saratovit, dy persona u plagosën pasi një dron ukrainas shkaktoi shpërthime që thyen dritaret e një ndërtese banimi, sipas guvernatorit rajonal, Roman Busarin.