Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria nuk po i nxit qytetarët të vaksinohen duke u marrë me zgjedhjet lokale, thotë Manaj

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka thënë se partia në pushtet po i ka në fokus zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në tetor dhe jo atë që ka rëndësi - pandeminë me COVID-19.

“Nuk jemi të kënaqur sepse gjatë këtyre 2-3 muajve të fundit kjo qeveri gati e ka shpallur të mbyllur këtë pandemi. Por vetëm sot i kemi mbi 1000 raste. Institucionet nuk kanë punuar si duhet që t’i nxisin qytetarët të vaksinohen, fokusi i tyre është më shumë te zgjedhjet lokale”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Manajt, situata me pandeminë është anashkaluar plotësisht dhe se Qeveria nuk ka bërë shumë në fushatën për vetëdijësimin e qytetarëve për t’u vaksinuar.

“Vaksina ka pasur për një pjesë të qytetarëve por qeveria veçanërisht MSH-ja nuk ka qenë e përkushtuar sa duhet të nxisë qytetarët të vaksinohen dhe kjo na ka sjellë në situatë të pafavorshme. Nuk ka pasur një fokus te menaxhimi i pandemisë. Po shihet se partia në pushtet është fokusuar te zgjedhjet lokale dhe ka anashkaluar totalisht këtë situatë”, shtoi Manaj.