Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se kjo parti synon t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo me 50 për qind.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Manaj ka vlerësuar se një qeverisje me 50 për qind të votave nuk është e mirë për vendin.
“Kemi ambicie t’i fitojmë zgjedhjet. Nuk kemi ambicie t’i fitojmë 50 për qind. Pavarësisht të gjitha rrethanave, Kosovës i duhet qeverisje që sjell stabilitet dhe jo qeverisje arrogante si kjo tash dhe është vërtetuar që një qeverisje me 50 për qind të numrave nuk është e mirë për Kosovën”, ka thënë ai.
Manaj ka shtuar se Ligji për Zyrtarët Publikë është sulm ndaj shërbimit civil dhe administratës publike.
“LDK-ja e ka goditur nenin 18, paragrafit 3, 4 dhe 5 që ka të bëjë me mandatet e nëpunësve civilë të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues. Me këtë ligj të gjithë këta nëpunës, tash e tutje do të jenë në pozita me mandat 4 vjeçar. Qasja e këtij pushteti prej fillimit ka qenë për ta kapur shërbimin civil të Kosovës dhe administratën publike. Vendimi i parë i Kuvendit që është marrë ka qenë shkarkimi i anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, që ka qenë goditja e parë ndaj shërbimit civil dhe sipas nesh, ky ka qenë qëllimi që të kapet ky këshill dhe pastaj të merren hapa të tjerë që janë marrë më vonë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kjo goditje ndaj shërbimit civil të Kosovës është goditje ndaj funksionimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Lidhur me reagimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Bardhyl Dobra, i cili ka thënë se dërgimi i ankesës në Kushtetuese nga opozita për plotësim-ndryshimin e këtij ligji, ka për qëllim pengimin e reformës në administratë publike, Manaj ka thënë se ai nuk e di se si funksionon shërbimi civil e administrata publike.
“Z.Dobra së pari nuk e merr vesh fare shërbimin civil dhe administratën publike se si funksionon. Ai është person politik që tenton ta politizojë shërbimin civil, i cili duhet të jetë i pavarur dhe profesional. Z.Dobra tenton që përmes këtyre ligjeve të largojë nëpunës civilë që kanë dhënë kontribut”, ka thënë ai.