Arbëri

Qeveria s'e fajëson “Hidrodrinin” për rastin e Deçanit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ende nuk është e qartë se çka e ka shkaktuar helmimin në Deçan, si pasojë e të cilit, shumë qytetarë të kësaj komune kërkuan ndihmë mjekësore.

Rizvanolli ka thënë pas një vizite që ka zhvilluar të premten në Ujësjellësin rajonal “Hidrodrini” se nuk mund të flitet me siguri për përgjegjësinë e ndërmarrjes “Hidrodrini” në këtë aspekt.

“Me rezultatet që i kemi, ende nuk është e qartë se cili është shkaktari i helmimit. Nuk mund të themi me siguri për identifikimin e ndonjë bunari apo burimi specifik i cili ka qenë problemi, apo edhe për përgjegjësinë e ndërmarrjes KRU "Hidrodrini" në këtë aspekt. Në shumicën e burimeve rezultatet janë që numri i baktereve është brenda normave të lejuara. Konkludimi është se në këtë moment, nuk mund të themi me siguri se cili ka qenë shkaktari”, ka thënë Rizvanolli.

Sipas saj, edhe numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë deri më tani, është më i vogël se që është raportuar në media. Ajo ka thënë se ka shpërputhje në mes të shifrave të paraqitura në mes të QKMF-së së Deçanit dhe IKSHPK-së.

Edhe Ujësjellësi Rajonal “Hidrodrini” ka dal sot me një komunikatë për media ku thuhet se nuk ka tregues që uji i pijshëm nga sistemi i këtij ujësjellësi, të ketë qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore dhe simptomave që janë paraqitur nga banorët e zonave të prekura në Deçan.

“Është konfirmuar dhe konstatuar se bazuar në analizat e gjertanishme (16.07.2021) nga IKSHPK të cilat edhe ishin në dispozicion dhe u prezantuan në takim nga ana e IKSHPK-së, nuk ka tregues që uji i pijshëm nga sistemi i ujësjellësit 'Hidrodrini', të ketë qenë shkaktar i shqetësimeve shëndetësore dhe simptomave që janë paraqitur nga banorët e zonave të prekura, të cilët kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Deçan”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga “Hidrodrini” pas takimit në përbërje të përfaqësuesve të “Hidrodrinit” dhe mekanizmave shtetërorë e shëndetësorë.