Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar masa ndaj “Hidrodrinit” në rast se vërtetohet se kjo kompani ka pasur rol në situatën e krijuar në Deçan, ku u helmuan rreth 1.500 persona nga uji i pijshëm.
Rizvanolli në “DESKU” të KTV-së është shprehur se një çështje e tillë duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe duhet kuptuar shkakun pse ka ndodhur për t’u mos u përsëritur më.
“Fillimisht të gjitha indicet ka qenë që uji i ujësjellësit nuk ka qenë problem. Ne si Ministër e Ekonomisë do të vazhdojmë ta trajtojmë me kujdes për të kuptuar nëse Hidrodrini ka pasur rol në krijimin e kësaj situate, meqë kemi mandat mbikëqyrjen e kompanive rajonale të ujësjellësit. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë ‘Hidrodrini’ që nga 11 korriku dhe për rolin eventual të kësaj kompanie në këtë situatë. Kjo çështje duhet të trajtohet nga ekspertët së pari, nuk duhet të politizohet në masën që është politizuar. Ne duhet ta dimë se çfarë ka ndodhur dhe duhet të sigurohemi të mos ndodhë më. Duhet të shohim me kujdes nëse kompania ka pasur rol në situatën e krijuar. Në rast se po, ne do të marrim masa nën fuqinë e mandatit tonë si Ministri e Ekonomisë”, deklaroi ajo.