Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria nënshkruan marrëveshje për mbështetje prej 1.2 milionë euro të 19 kuzhinave popullore

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të hënën me 19 kuzhina popullore, në vlerë prej 1.2 milionë euro.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kjo mbështetje financiare për organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të kuzhinave popullore, po bëhet për të tretën herë radhazi me qëllim ngritjen e mirëqenies sociale në vend.

“Ky aktivitet realizohet në kuadër të masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe parasheh mbështetjen e 19 organizatave humanitare me 1.2 milionë euro, të cilat do të ofrojnë shujta falas për familjet më në nevojë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë”.

Deri më tani, bëhet e ditur se organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore.

“Në pranverë të vitit të kaluar, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.