Arbëri

Qeveria ndan nga 50 euro për zyrtarët publikë prej shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të shtunën ka prezantuar pakon e re financiare me të cilën ka thënë se Qeveria po mundohet t’u ndihmojë qytetarëve për të përballuar më lehtë inflacionin. Ai ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë. Do të subvencionohet për muajt në të cilët qytetarët do të shpenzojnë më pak në raport me muajt e njëjtë të vitit të shkuar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka marrë një shembull. “Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë vitin e shkuar në shtator dhe sivjet 900 kilovatë në shtator, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë Murati.

Pensionistëve do t’u ndahen njëherë nga 100 euro, ndërsa familjeve në asistencë sociale dyfishim të shumës së asistencës për një muaj.

Është zotuar edhe për mbështetje të bizneseve që rrisin pagat e punëtorëve “duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”.

Në nëntor pritet të ndahen edhe nga 100 euro për studentët.

“Do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion”, ka thënë Kurti.

Punëtorët e sektorit publik tashmë janë në grevë qe një javë. Ata kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Ministri Murati ka kritikuar nivelin komunal që s’ka dorëzuar listat e pagave për punëtorët në fund të muajit, pasi një pjesë e tyre u fut në grevë. Ai ka thënë se “për shkak të situatës së rënduar ekonomike” mund të procedohet me pagat e ndaluara, por ka paralajmëruar përballje me ligjin, të atyre që kanë ndaluar dorëzimin e listave së punëtorëve.