Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria anulon konkursin për kryetar e anëtarë të OSHP-së

Qeveria e Kosovës ka anuluar konkursin për kryetar dhe dy anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Bordi i OSHP-së, është pa mandat prej fundit të muajit mars. Pa bord funksional, rrezikohet nënshkrimi i kontratave të favorshme.

Qeveria nuk ka dhënë arsye për anulimin e konkursit, që ishte shpallur në kohë të Qeverisë Hoti, më 12 janar.

Ndërkohë, KOHA mëson se janë pranuar mbi 200 kërkesa, të cilat nuk mund të trajtohen pa zgjedhjen e bordit të ri. Sipas njohësve të prokurimit, tenderët për të cilët ka ankesa të dorëzuara, rrezikojnë të nënshkruhen pavarësisht shkeljeve të pretenduara për shkak të kalimit të afateve ligjore.

OSHP-ja ka mbetur pa bord prej 31 marsit. Paraprakisht janë hapur dy konkurse për zëvendësimin e anëtarëve të saj. Proceduralisht një ankesë që nga data e pranimit në OSHP, duhet të marrë përgjigje brenda 34-ditësh.

Në vitin 2016, kur OSHP-ja pati mbetur pa bord rreth 6 muaj, të gjitha ankesat që nuk kishin marrë përgjigje brenda kësaj periudhe nuk ishin trajtuar fare nga bordi i ri, ndërsa tenderët pavarësisht shkeljeve ishin nënshkruar.