Veteranët e luftës kanë kundërshtuar ndryshimet ligjore që janë bërë në Ligjin për pagën minimale, me arsyetimin se veteranët janë anashkaluar.
Xhevdet Qeriqi, përfaqësues i OVL të UÇK-së, ka thënë se nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim pavarësisht se prej një viti e kanë kërkesën që të përfshihen. Ai ka thënë se kërkojnë që të mos hiqet neni për kategoritë e luftës deri në gjetjen e një zgjidhjeje. E në mungesë zgjidhjeje, organizata e veteranëve paralajmëron protesta.
Qeriqi është ankuar se Qeveria nuk është marrë me përfaqësuesit e veteranëve prej dy vjetësh.
“As nëpër komisione nuk jemi ftuar se për çka po bëhet fjalë, e kemi kuptuar nga mediat është ndryshuar ky ligj. As tash nuk kemi asnjë takim, nuk na kanë ftuar në komisione se çfarë ndryshime po bëhen. Aktualisht është 170 euro, trajtohen njëjtë si rastet sociale”, ka thënë ai në "60 Minuta".
Qeriqi ka shtuar se kanë pranuar edhe pastrimin e listave, por se sipas tij, për një gjë të tillë asnjë hap nuk është ndërmarrë nga Qeveria.
“E kemi diskutuar para 2 vitesh, i kemi dhënë mbështetje Qeverisë sepse është detyrë e Qeverisë për pastrimit e listave. Por, nuk ka asnjë iniciativë, kanë kaluar dy vjet, nuk ka vullnet nga kjo Qeveri që të pastrohen këto lista. Ne nuk jemi fajtorë pse Qeveria nuk po merr iniciativë për ta formuar një komision apo auditor për këtë proces”.
Ai ka deklaruar se veteranët përballen me shumë sfida, që sipas tij, gjendja e rëndë ka rritur edhe numrin e rasteve sociale.
Edhe
Veteranët paralajmërojnë protesta nëse dekretohet Ligji për pagën minimale
“Ka sfida. Ta mbash familjen me një pension, t’i shkollosh fëmijët, të kujdesesh për familjen është vështirë t’ia dalësh. Çdo ditë marr ankesa, nuk kemi aspak mundësi që t’u ndihmojmë. Mundohemi t’i adresojmë, por po hasim në vesh të shurdhër. Nuk po gjejmë mbështetje. Mos të harrojmë se nga gjendja e rëndë ekonomike shumë luftëtarë kanë bë vetëvrasje sepse nuk ia kanë arritur t’ia dalin. Për të gjitha është e njoftuar Qeveria”, ka theksuar Qeriqi.
Qeriqi ka thënë se nuk po zbatohen as beneficionet që parashihen me ligj për veteranët dhe invalidët e luftës.
“Në shumë raste nuk po zbatohet. Thuhet se lirohen nga tatimi në pronë, kjo nuk është duke u zbatuar, vetë e paguaj edhe taksa të tjera. Ka një bazë ligjore sidomos për tatimin në pronë, por nuk po zbatohet. Ka disa komuna që e zbatojnë, ka disa që nuk e zbatojnë, unë e paguaj çdo vit”.