Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qehaja për çmimet e teksteve shkollore: Ligji s’paraqet tavan, palëve u ofrohet mundësia për negocim

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” derisa është deklaruar për çështjen e transferimit të mjeteve financiare në llogaritë e prindërve të nxënësve për furnizim me tekste shkollore, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të obligimit shtetëror për sigurim të teksteve shkollore falas, por për promovimin e një praktike të re.

Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Qehaja ka thënë se Ministria e Arsimit ka vendosur ta vë në funksion praktikën që ka të bëjë me shpërndarjen e drejtpërdrejt nga botuesit te prindërit, përmes subvencionimit të ekonomive familjare.

“Duhet të mirinformohemi se nuk ka të bëjë me ndërprerje të obligimit shtetëror për sigurim të teksteve shkollore falas, Ministria e Arsimit aktualisht veçse i ka siguruar tekstet falas të shpërndara në shkolla fillore për klasat 6-9, por ka vendosur në këtë kohë të shkurtër të promovojë një praktikë të ndryshme nga ajo e mëparshmja e që ka të bëjë me shpërndarjen e drejtpërdrejt nga botuesit te prindërit, përmes subvencionimit të ekonomive familjare në shumën e supozuar të tekstit shkollor. Kjo është ajo e ndryshmja nga vitet e mëparshme”, ka thënë ai.

Lidhur me shqetësimet për çmimet e teksteve shkollore, Qehaja ka thënë se ligji aktual nuk paraqet një tavan për çmim dhe se u ofrohet mundësia palëve për negocim.

“Nuk besoj që keqpërdorimi është i kufizuar në shpërndarje apo në përcaktim të çmimit pasi që ligjërisht është e drejtë kontraktuale në negocim e secilës palë për të përcaktuar çfarëdo çmimi. Legjislacioni e ofron mundësinë për negocim mes palëve dhe si i tillë nuk është se mund të komentojmë diçka më shumë. Në fund të ditës, për çdo rritje të çmimit kemi mekanizma shtetëror që mund ta analizojnë më në thellësi sesa ne këtu”, ka shtuar ai.

Sipas Qehajës, është e rëndësishme që të kuptohet se tekstet shkollore nuk duhet të jenë biznes.