Arbëri

Pushteti e opozita përplasen për rendin e ditës, dështon seanca e rregullt e Kuvendit të Prishtinës

kuvendi komunal

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Ka dështuar të mbahet seanca e katërt e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës, pasi pushteti së bashku me asamblistë të Aleancës Kosovës e Re (AKR) dhe asamblistët e pavarur e kanë lëshuar sallën, duke e lënë Kuvendin pa kuorum. 

Së bashku me ta e lëshoi sallën edhe kryetari Përparim Rama e drejtorët komunal, pasi kërkesa e shefes së grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jeta Rafuna, për rikthimin e disa pikave në rendit të ditës, nuk kaloi.

Propozimi rendit të ditës nga Rama pësoi një ndryshim në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financave (KPF), që u bë nga opozita. Me shumicë votash ata ndryshuan renditjen dhe shtuan edhe disa pika të tjera. Në mesin e tyre ishte edhe subvencionimi i borxhit të vjetër për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe raportimi i kësaj ndërmarrjeje në Kuvend.

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, ka deklaruar se ndërrimi i pikave të rendit të ditës ishte në kundërshtim me ligjin.

“Ishte një kërkesë e LDK-së e mbështetur edhe nga kryetari Rama që të procedohet në këtë mbledhje me pikat e dakorduara nga kryetari së bashku me kryesuesin. Kemi pasur një ndërhyrje nga Komiteti që është jokompetent dhe janë shtuar pika të rendit të ditës që as ekzekutivi e as asambleja nuk kanë qenë të gatshëm t’i diskutojnë. Prandaj është një procedurë që e kemi kërkuar t’i rikthehet ligjshmëria sa i përket përpilimit të rendit të ditës”, u shpreh Dushi, pas dështimit të seancës.

Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka theksuar se me këtë po dëshmohet se ekzekutivi po u ikë përgjegjësive të veta.

“Është vazhdimësi e ikjes së ekzekutivit nga përgjegjësitë e veta. Ne sot kishim një  varg çështje për t’i diskutuar mirëpo LDK dhe partnerët e tyre dhe ekzekutivi me krye me Përparim Ramën seanca përfundoi. Interesin e vet e që ka të bëj me çështje të pronave e vendos para çdo interesi tjetër. Ata kishin një propozim që të ndryshoi rendi i ditës në mënyrë që disa pika që kanë të bëjnë me plane urbanistike të kalojnë si pika të para, propozimi i tyre u hodh në votim mirëpo nuk kaloi pasi nuk i patën shumicën, ka pasur edhe asamblist të pozitës që kanë votuar kundër propozimit të pozitës mirëpo me daljen e tyre nga salla u pamundësua mbajtja e seancës”, ka deklaruar Sveçla.

Nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka deklaruar se me pikat e vjetra të rendit të ditës kryetari synonte të kalonte pika që janë në interes të tij personal dhe jo të qytetarëve.

“Në seancën e katërt të rregullt të thirrur nga kryetari erdhi thirrja që të lihet në diskutim pika e vjetër e rendit të ditës, e ku në atë rend të ditës nuk do të ishin pika për ‘Pastrimin’. Raportimi për ndërmarrjen e ‘Pastrimit’ dhe të ‘Termokosit’ ka qenë shumë e rëndësishme por e pamundësoi vet kryetari i komunës, Përparim Rama, ky është një vetbllokim që po ia bën kryetari i komunës së bashku me ekzekutivin. Nuk i është larguar asnjë pikë e rendit të ditës, ata kundërshtuan se plani rregullues i Cagllavicës si pikë e rendit të ditës nuk mbeti i dyti e që ky ishte interesi i Ramës që të kalojë sa më shpejt këtë pikë dhe t’i shlyej borxhet për premtimet që i ka bë vet Rama për ineteresa të caktuara  e që janë në kundërshtim me ligjin.  Pra dje doli dhe foli për problemet që i ka ‘Pastrimi’ ndërsa sot tenton të largojë këtë pikë nga rendi i ditës”, ka deklaruar Retkoceri.

Ndërsa ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), tani i pavarur, Berat Lahu, fajin për këto bllokime në Kuvend ia hodhi LVV-së dhe PDK-së. 

“Ka qenë njëra prej mbledhjeve me rend dite më të ngjeshur që e kemi pasur ndonjëherë. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet për ‘Pastrimin’. Bllokimi erdhi për shkak të shkeljeve që tash 3 vjet e gjysmë  i ka bërë opozita VV dhe PDK së bashku me kryesuesin. Në KPF ka ndërruar pikat e rendit të ditës duke e pasur shumicën e votave e që kjo është një e drejtë ekskluzive e asamblistëve në seancë”, ka deklaruar Lahu.