Furnizimi me inventar e pako të mirëmbajtjes për më pak se gjashtë për qind të institucioneve të arsimit parauniversitar, janë përfshirë nga Qeveria si suksese për vitin 2022 në sektorin e arsimit. Për numrin e vogël të shkollave të furnizuara me pajisje për mirëmbajtje, në Ministri të Arsimit janë arsyetuar me buxhetin e limituar. E, sipas njohësve të arsimit suksese duhet të llogariten hapat që dërgojnë në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, e jo furnizimi me produkte esenciale
Në kuadër të sukseseve në sektorin e arsimit për vitin e kaluar, Qeveria ka përfshirë furnizimin e Ministrisë së Arsimit me inventar e pako të mirëmbajtjes për 82 shkolla.
Nga 1.052 institucione të arsimit parauniversitar në nivel vendi, vetëm 55 shkolla janë furnizuar me fshesa elektrike e pajisje të tjera si kjo për mirëmbajtje.
Në mungesë të pajisjeve, pastrimi i hapësirave në shkollën fillore në Fushë-Kosovë “Daut Bogujevci”, bëhet me fshesë të improvizuar nga stafi.
Ndihmë nga ministria nuk mori as shkolla fillore në fshatin Tenezhdoll të Komunës së Prishtinës.
“Furnizimi deri më tani është shumë i mirë dhe fatmirësisht qëndron mirë, pra jo nga ministria, por nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa me inventar ashtu kemi qëndruar mirë, për këto objekte që i kemi, ndërsa objekti kryesor për shkollën amë në Vranidoll, ku jemi në ndërtim e sipër dhe presim inventar të rinj për atë shkollë”, ka thënë Milaim Islami, drejtor në SHFMU “Nënë Tereza”.
Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se buxheti ishte i limituar dhe nuk kanë pasur mundësi t’i furnizojnë shkollat e tjera. Kanë premtuar se gjatë këtij viti do t’i pajisin institucionet e mbetura.
Arritje është kualifikuar edhe furnizimi me pajisje sportive të 22 sallave të edukatës fizike. E kualifikimi si sukses i furnizimit me inventar e pako të mirëmbajtjes, është kritikuar nga njohës të arsimit.
Sipas Xhavit Rexhajt, sukses duhet të vlerësohet puna në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.
“Diskutimi dhe shpjegimi i arritjeve në fushën e cilësisë apo performancës së mësimdhënësve do të ishte më e rëndësishme sesa sigurimi i pakove të ndryshme për mirëmbajtjen në shkolla, por është çështje e ministrisë ta vendosë këtë. Unë konsiderojë mbi të gjitha nëse e vlerësojmë vitin që shkoi duhet t'u referohemi vështirësive të shumta me të cilat është përballur sektori i arsimit, për shkak të grevës edhe për shkak të pasojave të pandemisë Covid në vitet paraprake. Unë mendojë se këto do të duheshin të trajtoheshin me përparësi nga ana e ministrisë”, ka thënë njohësi i Arsimit, Xhavit Rexhaj.
Në kuadër të arritjeve në arsim, pushteti ka renditur edhe ndarjen e bursave për studentë e për nxënës të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian.
Po ashtu, arritje është vlerësuar edhe ndërtimi i katër shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, unifikimi i Abetares Kombëtare e pilotimi i arsimit dual për katër profile.