Arbëri

MASHTI e komunat fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin në punësimin e 300 asistentëve në shkolla

Ministria e Arsimit nuk e ka realizuar premtimin që brenda një viti të punësojë 300 asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuara. Për tre vjet ajo ka rekrutuar gjithsej 286 mësimdhënës të kësaj kategorie. Për këtë në Ministri fajësuan komunat, e niveli lokal fajësojnë Ministrinë. E përderisa institucionet e hedhin fajin te njëra-tjetra, në shkolla janë ankuar se mungesa e asistentëve ka vështirësuar mbarëvajtjen e procesit mësimor

Zotimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për të punësuar gjatë vitit 2023 edhe 300 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk u realizua.

“Në vitin 2023 parashihet që të angazhohen edhe 300 asistentë të tjerë të fëmijëve me nevoja të veçanta”, pati deklaruar në një konferencë për media të mbajtur në vitin 2022 ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Edhe pse Ministria ka trajnuar e certifikuar 409 asistentë, për tre vjet janë punësuar gjithsej 286.

Për mospërmbushjen e premtimit në Ministri të Arsimit akuzuan komunat.

“Sipas të dhënave të raportuara në MASHTI, komunat e Mitrovicës, Gjilanit, Fushë Kosovës, Ferizajt dhe Gjakovës nuk kanë punësuar asistentë vitin e kaluar, ndërsa disa komuna të tjera kanë punësuar më pak asistentë nga numri i planifikuar. Siç e dini, komunat menaxhojnë vetë buxhetin e tyre. Ndonëse buxheti është i ndarë për punësimin në këto pozita, ka një neglizhencë nga komunat për punësimin e asistentëve”, është thënë në përgjigjen e tyre.

E, autoritetet lokale akuzuan Ministrinë për mosplanifikim të buxhetit për të angazhuar më shumë.

“Në vitin 2023 na është thënë që kemi 20 vende të lira për asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, por që nuk është planifikuar në buxhetin i cili ka qenë i vitit të kaluar, prandaj ne si komunë nuk kemi zhvilluar procedurat për të punësuar asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta përkundër se kemi nevojë”, ka thënë Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Llabjani ka treguar se në Ferizaj janë rreth 170 nxënës me aftësi të kufizuara e të punësuar janë vetëm 17 asistentë.

“Në vitin 2019 kemi pasur të drejtë të punësojmë 6 asistentë dhe i kemi punësuar. Në vitin 2021 kemi pasur prapë 6 asistentë në punësuar këta kanë qenë të planifikuar edhe në buxhet dhe në vendet e lira të punës. Në vitin 2022 kemi pasur hapësirë për tre, ata i kemi punësuar. Kur kanë qenë të planifikuar ne kemi punësuar”, ka shtuar ai.

Në Ministri theksuan se kanë planifikuar buxhet për punësimin e asistentëve në shkolla që nga viti 2021.

“Konkretisht në vitin 2021, në Komisionin e Granteve është aprovuar punësimi i 100 asistentëve, në vitin 2022 është aprovuar punësimi i 100 asistentëve, kurse në vitin 2023 është aprovuar punësimi i 300 asistentëve dhe janë shpërndarë tek komunat. Gjithsej për 3 vjet është ndarë buxheti për punësimin e 500 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta”.

Teksa Ministria e komunat fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin në punësim të asistentëve për nxënësit me aftësi të kufizuara, shkollat gjithandej Kosovës përballen me vështirësi në zhvillimin e procesit mësimor.

Në shkollën fillore “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë janë 35 fëmijë me aftësi të kufizuara. E për ta kujdesën gjithsej dy asistente.

“Roli i asistentëve është i domosdoshëm, është diçka që na duhet tepër nëpër shkolla. Kështu që me dy asistente me numër të madh të nxënësve është problem për ta ndjekur procesin mësimor”, ka thënë Betim Ahmeti, sekretar i shkollës.

Sipas legjislacionit, një asistent mund të mbështesë deri në dy nxënës.

“Neni 7: Një asistent mund të mbështesë një 1-2 fëmijë/nxënës brenda grupit/klasës/shkollës, duke marrë parasysh nevojat individuale të secilit fëmijë/nxënës”, shkruan në Udhëzimin administrativ për rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e asistentit për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”.

Bazuar në të, kërkohet të angazhohen rreth 2 mijë asistentë, meqë numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara që vijojnë mësimin në shkolla të rregullta është mbi 3.600. Në Ministri të Arsimit nuk treguan sa është numri total i asistentëve të angazhuar ndër vite.

Mungesa e asistentëve, sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, penalizon tërë procesin mësimor në klasa.

“Është përgjegjësi institucionale që të mos kursejnë buxhet dhe të mos kursehen me resurse por t’i ofrojnë çdo institucioni arsimor nga një asistent për çdo nxënës, pasi nga praktika po na dëshmohet vështirësia që ndikon në procesin mësimor jo vetëm për nxënësit me aftësi të kufizuara, por edhe për nxënësit e tjerë”, ka thënë Qehaja.

Edhe Komisioni Evropian ka shprehur kritikë për mungesë të mbështetjes së pamjaftueshme institucionale ndaj nxënësve me aftësi të kufizuara.